Incidenti i ndërprerjes së shfaqjes së filmit “Lejleku”, me regji të Isa Qosjes, gjatë festivalit “Xhada Film Fest” në Podgoricë, ka shkaktuar reagime nga përfaqësues politikë shqiptarë të cilët e kanë cilësuar këtë akt si sulm ndaj lirisë së shprehjes dhe bashkëjetesës multietnike në Mal të Zi.
Gjeloshaj: Përgjegjësia është mbi shtetin
Zëvendëskryeministri dhe lideri i Forumit Shqiptar Nik Gjeloshaj theksoi se incidenti nuk është thjesht çështje e komunitetit shqiptar, por i gjithë shoqërisë malazeze. Ai theksoi se institucionet kryesore të shtetit duhet të mbajnë përgjegjësi për mbrojtjen e vlerave të përbashkëta dhe se heshtja e tyre rrezikon seriozisht demokracinë dhe stabilitetin e vendit.
“Përgjegjësia për mbrojtjen e vlerave të përbashkëta është mbi shtetin. Heshtja e institucioneve të larta shtetërore dërgon mesazhe të gabuara dhe dobëson themelet e bashkëjetesës sonë.” – u shpreh Gjeloshaj.
Faik Nika kërkon masa të menjëhershme ndaj përgjegjësve
Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve dënoi ndërprerjen e shfaqjes si një shkelje e rëndë e lirisë së shprehjes dhe e të drejtave kulturore e të pakicave. Theksohet se gjuha shqipe, si gjuhë zyrtare sipas Kushtetutës së Malit të Zi, duhet të respektohet plotësisht nga institucionet dhe qytetarët. Këshilli kërkon masa të menjëhershme ndaj përgjegjësve për të garantuar një ambient të sigurt dhe të respektueshëm për të gjithë.
“Veprimet që cënojnë kulturën e pakicave dhe përpiqen të dëmtojnë mirëkuptimin ndërmjet grupeve etnike, dëmtojnë rëndë stabilitetin dhe unitetin e Malit të Zi”
Camaj: Akt i turpshëm dhe i papranueshëm
Nënkryetari i Kuvendit, Nikollë Camaj, e cilësoi ndërprerjen e shfaqjes si një akt të turpshëm dhe të papranueshëm që cenon bashkëjetesën multietnike. Ai kërkoi reagim të menjëhershëm nga institucionet dhe dënimin e autorëve të incidentit.
“Ky është një akt jo civilizues që kërcënon harmoninë e shoqërisë sonë. Institucionet duhet të dërgojnë mesazh të qartë se veprime të tilla nuk do të tolerohen. Do të angazhohem personalisht që autorët të identifikohen dhe të përballen me drejtësinë.” – deklaroi Camaj.
Ai shtoi se shfaqja simbolike e filmit në televizionin shtetëror është një përgjigje e rëndësishme për të mbrojtur lirinë artistike.
Dukaj: Sulm ndaj demokracisë dhe multietnicitetit
Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, e cilësoi incidentin si një sulm ndaj demokracisë dhe diversitetit kulturor në Mal të Zi. Ai theksoi rëndësinë e respektimit të gjuhës shqipe, si një nga gjuhët zyrtare të vendit, dhe mbrojtjes së lirisë artistike.
“Ndërprerja e filmit në gjuhën shqipe është një akt i papranueshëm. Liria e shprehjes dhe respektimi i gjuhëve zyrtare janë shtylla të shoqërisë multietnike që duhet të mbrojmë me çdo kusht.” – tha Dukaj, duke bërë thirrje për veprim të vendosur institucional.
Çapuni: Dënim i ashpër dhe thirrje për përgjegjësi
Deputeti Ilir Çapuni gjithashtu reagoi ashpër ndaj incidentit, duke e cilësuar atë si një shkelje flagrante të të drejtave të komunitetit shqiptar dhe të vlerave demokratike. Ai kërkoi dënim shembullor të organizatorëve të këtij akti.
“Kjo ngjarje është një sinjal alarmi se ende ka forca që duan të minojnë bashkëjetesën tonë. Duhet reagim i menjëhershëm dhe ndëshkim i ashpër që kjo të mos përsëritet.” – theksoi Çapuni.
/MALESIA.ORG/