Është shpallur tenderi për ndërtimin e sallës qendrore të sportit të Komunës së Tuzit, e cila sipas planit parashikohet të ndërtohet në fshatin Sukruq.
Salla sportive pritet të ketë kapacitet deri në 2.000 vende dhe të jetë e përshtatshme për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme sportive, përfshirë futbollin, basketbollin, volejbollin dhe sporte të tjera.
Në procedurën e tenderimit do të përzgjidhet oferta me çmimin më të ulët që plotëson të gjitha kushtet e përcaktuara në dokumentacionin e tenderit.
Projekti parashikon që edhe kjo sallë sportive të marrë një emër me simbolikë kombëtare, në vazhdën e projekteve si sheshi “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” dhe Arena “Besa”.
Megjithatë, vendimi për lokacionin e sallës në Sukruq ka ngjallur kritika në opinion. Një pjesë e qytetarëve vlerësojnë se, duke qenë se bëhet fjalë për sallën qendrore sportive të Komunës së Tuzit, ajo do të duhej të ndërtohej në Tuz, si qendra urbane dhe administrative e Malësisë, dhe jo në një fshat jashtë qendrës.
Ndërtimi i kësaj qendre do të ishte një investim i rëndësishëm në infrastrukturën sportive të Malësisë.
/MALESIA.ORG/


