Dhjetëra protestues u bashkuan sot sot para ndërtesës së komunës, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj procesit të arbitrazhit për përcaktimin e kufirit administrativ ndërmjet Komunës së Tuzit dhe Kryeqytetit Podgoricë.
Protestuesit shprehen se me propozimin aktual rrezikojnë të mbeten jashtë territorit të Komunës së Tuzit disa zona që historikisht dhe administrativisht kanë qenë pjesë e Malësisë. Sipas tyre, kjo përfshin një pjesë të Rakiqit, Kakarriqit, Fundnës, Luharit, Ledinës, një pjesë të madhe të Trieshit, Koshticës dhe Liqenit të Rikavecit.
Organizatori i protestës, Prëla Ujkaj, deklaroi se banorët nuk janë informuar si duhet nga përfaqësuesit e tyre në komisionin e arbitrazhit dhe se nuk kanë më besim në punën e tyre. 
“Ne nuk lejojmë që Rakiqi t’i hiqen Komunës së Tuzit. Këto troje janë të Malësisë dhe këtu jetojmë prej brezash”, u shpreh ai gjatë protestës.
Ujkaj kërkoi dorëheqjen e anëtarëve të Komisionit të Arbitrazhit të emëruar nga Komuna e Tuzit dhe paralajmëroi se banorët janë të gatshëm të ndjekin të gjitha rrugët ligjore, përfshirë edhe institucionet evropiane, nëse vendimi përfundimtar cenon territorin e Malësisë.
“Me territorin e Malësisë nuk ka lojë. Nëse është e nevojshme, do t’i drejtohemi edhe gjykatave evropiane për të mbrojtur të drejtat tona”, deklaroi ai.
Për shkak të protestës, qarkullimi në qendër të Tuzit u ndërpre për rreth një orë, ndërsa policia devijoi trafikun në rrugët përreth.
Çështja e arbitrazhit për kufirin ndërmjet Komunës së Tuzit dhe Kryeqytetit Podgoricë vazhdon të shkaktojë reagime të shumta në opinion, ndërsa banorët kërkojnë që gjatë vendimmarrjes të respektohen faktet historike, përkatësia administrative dhe interesat e komunitetit të Malësisë.
/MALESIA.ORG/


