Në prag të festimeve për Ditën e Pavarësisë së Malit të Zi, në Tuz është shënuar një incident lidhur me vendosjen e flamujve në hapësirat publike.
Sipas informacioneve nga terreni, disa ditë më parë një grup individësh nga Tuzi kanë vendosur flamujt e Malit të Zi në qendër të qytetit, në hapësira publike. Ndërkaq, kur autoritetet e Komunës së Tuzit kanë tentuar të vendosin flamujt zyrtarë, ashtu siç bëhet çdo vit, përfshirë edhe flamurin shqiptar krahas atij malazez, një grup individësh ka penguar vendosjen e tyre. Në vendngjarje kishte mbërritur edhe policia.
Ngjarja ka shkaktuar reagime në opinionin publik dhe interpretime të ndryshme politike.
Nga Komuna është rikujtuar se, si edhe në vitet e kaluara, në hapësirat publike në Tuz vendosen flamujt shtetërorë dhe kombëtarë.
Ngjarje të tilla kanë nxitur debat edhe më herët në Malësi. Kjo nuk konsiderohet hera e parë që individë vendas, shqiptarë të asimiluar, shfaqin kundërshtim ndaj pranisë së flamurit shqiptar në aktivitete publike në Tuz.
/MALESIA.ORG/


