Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar Kongresin e Shteteve të Bashkuara për një leje të propozuar për eksportimin e artikujve të mbrojtjes, të dhënave teknike dhe shërbimeve ushtarake drejt Kosovës, në vlerë prej mbi 14 milionë dollarësh. Lajmi është bërë i ditur nga burime brenda Kongresit për Radio Evropa e Lirë.
Sipas raportit, njoftimi është dërguar nga Byroja për Çështje Legjislative e Departamentit amerikan të Shtetit, në përputhje me nenin 36(c) të Ligjit për Kontrollin e Eksportit të Armëve, dhe i është përcjellë Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan.
Në dokumentin e Kongresit nuk janë bërë publike detaje mbi llojin e pajisjeve apo shërbimeve ushtarake që përfshihen në këtë leje eksporti. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ende nuk ka dhënë komente shtesë lidhur me çështjen.
Ky zhvillim vjen në një periudhë kur në Uashington po shtohen thirrjet për mbështetjen e anëtarësimit të Kosovës në NATO. Kosova vazhdon procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të plotë, proces që ka nisur më 2018 dhe që pritet të zgjasë dhjetë vjet.
Në vitet e fundit, Kosova ka intensifikuar bashkëpunimin ushtarak me SHBA-në, duke përfshirë blerjen e dronëve, autoblindave dhe kërkesën për raketa kundërtanke “Javelin”.


