Mbrëmë në Tuz u hap zyrtarisht Panairi i 7-të i Librit, një aktivitet kulturor i kushtuar librit, dijes dhe promovimit të kulturës.
Hapjen e panairit e bëri kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, ndërsa pjesë e programit të mbrëmjes ishte edhe promovimi i librit “Brenga”, të autorit Pashko R. Camaj.
Gjatë promovimit u diskutua për tematikën dhe mesazhet që përcjell vepra, veçantinë e saj letrare, si dhe mënyrën se si autori trajton tema që nxisin reflektim dhe përcjellin mesazhe të rëndësishme te lexuesi.
Panairi sjell në Tuz një përzgjedhje të larmishme botimesh dhe shtëpish botuese, duke u ofruar vizitorëve mundësinë të njihen me tituj të ndryshëm dhe të gjejnë libra për shije dhe interesa të ndryshme.
Organizatorët i kanë ftuar qytetarët që ta vizitojnë panairin edhe gjatë ditëve në vijim dhe të bëhen pjesë e këtij aktiviteti kulturor, i cili afron me lexuesit autorë, vepra dhe botime të ndryshme.
Panairi i Librit në Tuz vazhdon edhe në ditët në vijim.
/MALESIA.ORG/



