Kryesia e Forumit Shqiptar ka vendosur njëzëri që deputetët e këtij subjekti politik të votojnë për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq.
Në mbledhjen e mbajtur më 7 shtator, Kryesia vlerësoi se çështja nuk lidhet vetëm me votimin pro ose kundër një zyrtari të caktuar, por me një çështje parimore: nëse Mali i Zi pranon glorifikimin e kriminelëve të luftës apo qëndron në anën e drejtësisë ndërkombëtare, viktimave dhe vlerave evropiane.
Forumi Shqiptar thekson se Ratko Mlladiq është kriminel lufte, i dënuar me aktgjykim të formës së prerë nga një gjykatë ndërkombëtare, dhe se çdo përpjekje për glorifikimin e tij është e papranueshme dhe në kundërshtim me orientimin evropian të Malit të Zi.
Për këtë arsye, shefi i Klubit Parlamentar të Forumit Shqiptar do ta nënshkruajë nismën për shkarkimin e Mandiqit, ndërsa deputetët e Forumit Shqiptar do të votojnë pro shkarkimit të tij.
Në vendimin e saj, Kryesia sqaron se ky qëndrim nuk përfaqëson mbështetje për propozuesin e nismës, por buron nga parimet dhe vlerat e Forumit Shqiptar, të cilat, sipas tyre, nuk mund të jenë pjesë e kalkulimeve apo kompromiseve të politikës së ditës.
Pas votimit për nismën, Forumi Shqiptar do të vlerësojë marrëdhëniet e mëtejshme brenda shumicës parlamentare dhe do të marrë vendimet e ardhshme duke pasur parasysh interesat e shqiptarëve, stabilitetin politik dhe perspektivën evropiane të Malit të Zi.
/MALESIA.ORG/


