Mark Gjokaj ishte heroi i mbrëmjes për KF Deçiqin, duke udhëhequr ekipin nga Malësia drejt një fitoreje të rëndësishme 2–0 ndaj Buduqnostit, në Podgoricë.
Në një nga ndeshjet më të rëndësishme të kampionatit të Malit të Zi, 17-vjeçari nga Malësia tregoi pjekuri dhe talent të jashtëzakonshëm, duke shënuar të dy golat e fitores.
Golin e parë Gjokaj e shënoi në minutën e 30-të, kur pas një krosimi të Xhonatan Dreshaj realizoi me kokë për 1–0. Sulmuesi i ri pati mundësi të shënonte edhe më herët për ta dyfishuar epërsinë, por goditja e tij me kokë kaloi pranë shtyllës.
Në pjesën e dytë, Deçiqi vazhdoi të kontrollojë ritmin e takimit, ndërsa Gjokaj vazhdoi të ishte kërcënimi kryesor për portën e vendasve.
Në minutën e 69-të erdhi momenti i dytë magjik i talentit të ri. Gjokaj nga më shumë se 20 metra, shënoi fuqishëm golin e dytë. Topi preku shtyllën dhe përfundoi në rrjetë, duke i dhënë Deçiqit epërsinë 2–0.
Një talent i Malësisë që po rritet
I lindur në janar të vitit 2009, Gjokaj është ndër talentet më të spikatura të gjeneratës së tij te Deçiqi.
Paraqitja në Podgoricë ishte një tjetër hap i rëndësishëm në zhvillimin e tij. Përballë një prej skuadrave më të njohura të futbollit malazez, 17-vjeçari nuk u mjaftua vetëm me një paraqitje të mirë, por shënoi dy gola dhe i dha Deçiqit një fitore që do të mbahet mend.
/MALESIA.ORG/


