Me një atmosferë festive dhe pjesëmarrje të madhe të qytetarëve e vizitorëve, të mërkurën mbrëma u hap zyrtarisht Pazari i Verës në Tuz, një nga aktivitetet më të rëndësishme verore në Malësi.
Hapjen e edicionit të sivjetshëm e shpalli Kryetari i Komunës së Tuzit, z. Lindon Gjelaj, i cili uroi pjesëmarrësit dhe theksoi rëndësinë e organizimeve të tilla për gjallërimin e jetës kulturore dhe shoqërore në Malësi.
Nata inauguruese u shoqërua me një program të pasur artistik, ku të pranishmit patën mundësinë të shijojnë performancat e artistëve të njohur Ledri Vula dhe Rigersa Loka. Koncertet sollën atmosferë të veçantë, ndërsa publiku e mirëpriti me entuziazëm muzikën dhe energjinë e artistëve.
Pazari i Verës do të vijojë edhe në ditët në vazhdim me një sërë aktivitetesh kulturore, muzikore dhe argëtuese, duke ofruar momente të veçanta për vendasit, diasporën dhe vizitorët që gjatë kësaj periudhe ndodhen në Malësi.
Ky aktivitet tashmë është shndërruar në një traditë verore që bashkon komunitetin dhe promovon kulturën, traditën dhe potencialin turistik të trevës së Malësisë.
/MALESIA.ORG/



