Rruga e Malit të Zi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian ka marrë një kthesë të papritur, pasi Kroacia ka vendosur veton duke bllokuar mbylljen e Kapitullit 31, i cili mbulon politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes.
Mali i Zi, i cili deri më tani është konsideruar si shteti lider dhe pararojë në rajon sa i përket procesit të integrimit, përballet tashmë me një pengesë serioze që mund të rrezikojë objektivin e tij për t’u bërë pjesë e BE-së deri në vitin 2028.
Ndër kërkesat e Kroacisë përfshihen çështje që lidhen me trashëgiminë e luftërave të viteve ’90, përgjegjësinë për krimet e luftës , kërkimin e personave të zhdukur, çështjet pronësore, kufirin detar, si dhe kthimin e anijes shkollore “Jadran”.
Një tjetër pikë tensioni ka qenë edhe rezoluta e miratuar nga Parlamenti i Malit të Zi për kampin e Jasenovcit gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilën Kroacia e ka konsideruar si një veprim politik problematik.
/MALESIA.ORG/


