Dr. Martin M. Bojaj emërohet Drejtor i Drejtorisë për Analiza Ekonomike dhe Projektime në Bankën Qendrore të Malit të Zi
Sipas një njoftimi të publikuar nga vetë Dr. Martin M. Bojaj në profilin e tij në LinkedIn, ai është emëruar Drejtor i Drejtorisë për Analiza Ekonomike dhe Projektime në Bankën Qendrore të Malit të Zi.
Në postimin e tij, Bojaj bën të ditur se drejtoria e re përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve analitike, projektuese dhe kërkimore të Bankës Qendrore, duke bashkuar në një strukturë të vetme Departamentin për Analiza Makroekonomike, Departamentin për Projektime Ekonomike dhe Modelim, si dhe Departamentin për Politikat e BE-së/EMU-së dhe Kërkime Ekonomike.
Ai shprehet se këtë përgjegjësi e pranon me përkushtim dhe se synimi i tij është të kontribuojë në ndërtimin e një drejtorie të njohur për profesionalizëm, inovacion dhe analiza cilësore, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira të Bankës Qendrore Evropiane (ECB), Eurosistemit dhe Sistemit Evropian të Bankave Qendrore.
Në të njëjtin postim, Bojaj falënderon Guvernatoren dr. Irena Radović, Zëvendësguvernatoren dr. Zorica Kalezić, Drejtoreshën e Burimeve Njerëzore Sanja Mrkić dhe dr. Ana Vlahović për besimin, mbështetjen dhe bashkëpunimin profesional ndër vite.
Ai vlerëson gjithashtu se, në një periudhë kur Mali i Zi po përshpejton procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, forcimi i kapaciteteve analitike dhe projektuese të Bankës Qendrore është një element i rëndësishëm për mbështetjen e këtij procesi.
Dr. Martin M. Bojaj njihet për angazhimin e tij në fushën akademike dhe kërkimore, si autor i një numri të konsiderueshëm punimesh shkencore të botuara në revista prestigjioze ndërkombëtare, si dhe për pjesëmarrjen në projekte kërkimore me banka qendrore, institucione financiare ndërkombëtare dhe studiues nga vende të ndryshme.
Emërimi i tij në këtë funksion përbën një tjetër sukses profesional për Malësinë dhe një vlerësim të punës, dijes dhe përkushtimit të tij në fushën ekonomike dhe akademike.
Albert Camaj


