Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Johan Sattler, thuhet se ka paralajmëruar përfaqësuesit e shumicës parlamentare se Bashkimi Evropian nuk do të vazhdojë bashkëpunimin me ta nëse vazhdon fushata për çnjohjen e Kosovës nga kuvendet komunale.
Pretendimi u bë publik nga kryetari i Partisë Demokratike Popullore (DNP), Milan Knezheviq, i cili në një deklaratë publike tha se Sattler ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e shumicës parlamentare pas miratimit të një nisme në Kuvendin Komunal të Plevles.
Në reagimin e tij, Knezheviq kritikoi ashpër Sattlerin, duke e akuzuar për ndërhyrje në çështjet e brendshme politike të Malit të Zi dhe duke theksuar se DNP-ja do të vazhdojë të mbështesë nismat e saj lidhur me Kosovën.
Deri më tani, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Mal të Zi nuk ka publikuar një reagim zyrtar që konfirmon deklaratat e cituara nga Knezheviq.
/MALESIA.ORG/


