Këshilli parlamentar për sistemin politik, gjyqësor dhe administratë ka miratuar njëzëri propozimin për nisjen e një hetimi parlamentar lidhur me operacionin policor “Fluturimi i Shqiponjës”, i cili ndodhi më 9 shtator 2006.
Gjatë mbledhjes së sotme, deputeti i Forumit Shqiptar, Nikollë Camaj, deklaroi se përmes këtij hetimi do të synohet zbardhja e së vërtetës për mënyrën e veprimit të organeve shtetërore në atë rast.
Sipas Camajt, operacioni “Fluturimi i Shqiponjës” u zhvillua në dëm të personave që kishin dhënë një kontribut të rëndësishëm në suksesin e referendumit për pavarësinë e Malit të Zi në vitin 2006. Ai theksoi se aksioni policor u karakterizua nga tortura të rënda ndaj shqiptarëve dhe se hetimi parlamentar duhet të ndihmojë në ndriçimin e të gjitha rrethanave që shoqëruan këtë ngjarje.
/MALESIA.ORG/


