
Shkruan: Irena Dragoti
Historia shqiptare njeh figura që jetojnë edhe pas vdekjes në ndërgjegjen e brezave, në mënyrën si mendohet liria, dinjiteti dhe atdheu. Ka emra që shndërrohen në gurë kilometrikë të kujtesës kombëtare. Një prej tyre është Prek Cali bajraktari e trimi i Kelmendit, mbrojtësi i kufijve etnikë shqiptarë, simboli i qëndresës kundër çdo pushteti që kërkonte të nënshtrojë shpirtin e lirë të malësorit.
Por historia nuk ecën vetëm përmes ngjarjeve. Ajo ecën përmes njerëzve që marrin mbi vete një mision dhe e bartin atë në kohë të tjera. Duken se ata vijnë në këtë botë nga një shpirt i fluturuar për vazhdimësinë e misionit. I tillë është Dr Anton Lajçaj. Me origjinë nga Rapshë e Hotit por i lindur në Podgoricë jetoi pothuaj tri dekada në Tuz- Malesi e Madhe ku ushtroi profesionin e mësuesit pasi përfundoi studimet e larta për matematikë në Universitetin e Shkodrës. Diplomohet në tokën Amë dhe pse njohja e asaj diplome do të kishte kosto por kjo nuk e ndal.
Nëse Prek Cali mbrojti tokën shqiptare me pushkë në dorë, Dr. Anton Lajçaj duket se ka zgjedhur të mbrojë kujtesën shqiptare me dijen, organizimin, kulturën dhe veprimin qytetar. Në këtë kuptim ai mund të shihet si vazhdimësia morale e një tradite që fillon në kullat e Hotit dhe vazhdon në sallat e Michiganit.
Nuk është rastësi që ai vjen nga një trung si ai i Prek Calit ku fjala “atdhe” nuk ka qenë slogan, por betim.
Në filozofinë e Hegelit ekziston ideja se individët e mëdhenj bëhen instrumente të frymës historike të kohës së tyre. Ata nuk përsërisin paraardhësit, ata i përkthejnë idealet e tyre në gjuhën e epokës së vet por unë do të thoja që individët e mëdhenj lënë pasardhës, mishërohen diku me qëllimin e tyre. Pikërisht këtu qëndron domethënia e figurës së dr Anton Lajçajt. Ai nuk është Prek Cali i shekullit XXI sepse përdor të njëjtat mjete. Ai është vazhdimësia e tij sepse mbron të njëjtat vlera.
1-Liria.
2-Dinjiteti.
3-Identiteti.
4-E drejta për të qenë shqiptar.
Prek Cali jetoi në një epokë kur rreziku vinte nga pushtimet, copëtimet territoriale dhe dhuna e drejtpërdrejtë. Dr Anton Lajçaj jeton në një kohë kur rreziku është më i heshtur. Ai quhet asimilim. Quhet harresë. Quhet humbje e gjuhës. Quhet shkëputje nga rrënjët.
Në dukje është një betejë më e qetë. Në të vërtetë është po aq vendimtare.
Sepse një komb nuk zhduket vetëm kur humbet tokat. Ai zhduket edhe kur humbet kujtesën.
Kjo është arsyeja pse veprimtaria e Dr Anton Lajçajt për mbrojtjen e gjuhës lirive e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi dhe në diasporën shqiptaro-amerikane merr përmasa që tejkalojnë aktivitetin kulturor. Ajo bëhet një akt rezistence kombëtare. Gjuha si
“shtëpia e qenies”në mendësinë e dr Lajçajt do të thotë shtëpia e kombit. Një popull që humbet gjuhën, ka humbur vetveten.
Pikërisht për këtë arsye, përpjekjet e Anton Lajçajt nuk janë periferike por ekzistencializëm.
Në historinë shqiptare antikomunizmi nuk ka qenë thjesht një pozicionim politik por një qëndrim moral ndaj shtypjes, mohimit të lirisë dhe shkatërrimit të traditave kombëtare e fetare.
Në këtë kuptim, bindjet antikomuniste të Dr Anton Lajçajt nuk duhen interpretuar vetëm si kundërshti e një sistemi politik .
Popper, një nga kritikët më të mëdhenj të totalitarizmit, paralajmëronte se shoqëritë e mbyllura përpiqen të kontrollojnë jo vetëm veprimet e njerëzve, por edhe kujtesën e tyre.
Prandaj te Dr Anton Lajçaj antikomunizmi nuk rebelohet si urrejtje ndaj individëve por si besnikëri ndaj lirisë dhe kujtesës.
Një nga aspektet më domethënëse të jetës së tij është veprimtaria në krye të Shoqatës “Rapsha”.
Në pamje të parë mund të duket si një organizatë komunitare. Në thelb ajo është një akademi e heshtur e kujtesës shqiptare.
Aty janë mbledhur fonde për çështje kombëtare, janë mbështetur aktivitete kulturore, janë promovuar festivalet folklorike, janë krijuar ura mes Malësisë dhe diasporës.
Janë ndihmuar projekte që forcojnë identitetin shqiptar.
Kur vështron punën e Dr Anton Lajçajt, kupton se ai vepron sipas parimit të Edmund Burke, se shoqëria është partneritet mes të vdekurve, të gjallëve dhe atyre që ende nuk kanë lindur. Ai nuk punon vetëm për brezin e tij. Një nga kontributet më të rëndësishme të tij mbetet përpjekja për të sjellë para institucioneve amerikane dhe Kongresit Amerikan argumente dhe dëshmi lidhur me sfidat që kanë përjetuar shqiptarët në Mal të Zi në 30 Tetor 2003. Domethënëse përpjekja e tij në një botë ku politika shpesh dëgjon vetëm atë që artikulohet qartë, paraqitja e fakteve bëhet akt qytetar me rëndësi të veçantë. Të flasësh për rreziqet e asimilimit nuk do të thotë të kërkosh privilegje por të kërkosh të drejtën për të ekzistuar siç je.
Në këtë aspekt, Anton Lajçaj mishëron figurën e intelektualit që nuk e sheh dijen si privilegj personal, por si instrument shërbimi. Zëri i tij i guximshëm “ hapi sytë” asaj që Dr Lajçaj e quan asimilim i heshtur.
Kjo është ngjarje tejet e rëndësishme sepse ai përfaqëson modelin e intelektualit që nuk kënaqet me analizën, por kalon në veprim.
Në këtë kuptim Dr Anton Lajçaj është më shumë se studiues apo aktivist.
Ai është ndërtues institucionesh.
Por ndoshta dimensioni më i thellë i figurës së tij është ai shpirtëror. Përpjekjet e tij kanë qenë gjithnjë organizative, përbashkuese dhe humanitare. Intuita e tij në çështje jetike ka qenë shumë shumë afër të vërtetës.
Në Malësinë e Madhe, besimi, familja dhe atdheu kanë qenë historikisht tri shtyllat e identitetit.
Te Dr Anton Lajçaj këto tri shtylla duket se bashkëjetojnë natyrshëm.
Besimi i jep moral, familja i ka falur rrënjët e atdheu i induktoi misionin.
Dhe pikërisht këtu qëndron ngjashmëria më e madhe me Prek Cali Jo te mjetet, as te koha apo rrethanat por te besnikëria ndaj një ideali.
Në fund të fundit, historia nuk kërkon kopje të heronjve të saj. Ajo do vazhdimësi.
Prek Cali mbrojti kufijtë fizikë të shqiptarisë.
Anton Lajçaj ka mbrojtur kufijtë shpirtërorë të saj.
Njëri luftoi që toka të mos humbiste.
Tjetri ka luftuar të mos humbasë kujtesa pasi kombet mbijetojnë jo nga toka që zotërojnë, por edhe nga kujtesa që ruajnë. Veprimtaria e Dr Anton Lajçajt duhet parë si pjesë e asaj tradite të madhe shqiptare ku shërbimi ndaj kombit bëhet mënyrë të jetuari.
Kështu, hija e Prek Cali nuk endet si nostalgji mbi Malësinë. Ajo vazhdon të ecë në kohë përmes njerëzve që, si Dr Anton Lajçaj, e kuptojnë se atdheu nuk trashëgohet një herë e përgjithmonë. Ai duhet mbrojtur çdo ditë, me mjetet që kërkon epoka dhe me të njëjtin besim që kanë pasur paraardhësit.
Dr ANTON LAJÇAJ nuk mund të lexohet vetëm përmes profesionit, titujve akademikë të marra në universitet amerikane apo angazhimeve shoqërore, por si pjesë e traditës së Malësisë dhe përgjegjësi ndaj kombit
Kur gjuha dhe kujtesa dobësohen, fillon tretja e ngadaltë e identitetit.
Dr Anton Lajçaj ky djalë Tuzi, vendi ku historia nuk është vetëm e shkruar në dokumente, por edhe e gdhendur në karakterin e njerëzve, vendi ku fjala “atdhe” nuk është nocion abstrakt nuk përdor origjinën e tij prej figurës legjendare të Prek Calit si krenari gjenealogjike. Në kulturën shqiptare prejardhja ka vlerë vetëm kur trashëgohet si përgjegjësi morale. Dhe duket se Dr Anton Lajçaj këtë trashëgimi nuk e ka mbajtur si dekor kujtese, por si detyrim për veprim.
Kur e lexon veprimtarinë e Dr Anton Lajçajt ndër vite nga koha si mësues në gjimnazin e Tuzit , nga betejat e tij për liritë e të drejtat e shqiptarëve sipas kushtetutës, të krijohet bindja se ai ka ruajtur respektin për të kaluarën, ka punuar për të tashmen dhe ka menduar për brezat që do të vijnë.
Kombi nuk jeton vetëm në kufijtë e hartës por edhe në fjalët që përdor, në këngët që këndon, në historitë që u rrëfen fëmijëve.
Shqiptarët e Malit të Zi kanë kaluar dekada të tëra duke u përballur me sfida që lidhen me ruajtjen e identitetit . Pikërisht këtu qëndron pesha e angazhimit të Dr Anton Lajçajt, i cili ka ngritur vazhdimisht zërin për ruajtjen e arsimit, shtypit të lirë, kulturës dhe trashëgimisë shqiptare. Përpjekjet e tij për të mbledhur fonde nl diasporë për ndërtimin e Tv Boin, nga më të vjetrit në Tuz apo Festivalin folklorik të Rapshës do ta renditë pa frikë këtë atdhetar në historinë shqip krah Fishtës, e Nolit .
Si shumë malësorë të tjerë, ai ndërtoi jetën në Michigan ku u bë pjesë e atij brezi shqiptarësh që e kuptuan se diaspora nuk duhet të jetë vetëm kujtim i atdheut, por forcë vepruese për të.
Në këtë pikë merr kuptim veprimtaria e tij në krye të Fondit Humanitar “Rapsha”. Ajo që bie në sy nuk është thjesht numri i aktiviteteve apo fondeve të mbledhura por filozofia që qëndron pas tyre.
Në një kohë kur individualizmi po bëhet norma e shoqërive moderne, “Rapsha” përfaqëson idenë e solidaritetit. Çdo fond i mbledhur, çdo festival folklorik, çdo projekt kulturor apo kombëtar është një mënyrë për t’u thënë brezave të rinj se identiteti nuk trashëgohet automatikisht, ai duhet ushqyer vazhdimisht.
Ndoshta për këtë arsye figura e tij nuk duhet gjykuar vetëm nga ajo që ka bërë, por edhe nga ajo që përfaqëson. Ai përfaqëson idenë se atdhetaria nuk është emocion i çastit. Nuk është një flamur që valëvitet vetëm në festa. Atdhetaria është një punë e përditshme, shpesh e heshtur, shpesh pa duartrokitje, por gjithmonë e domosdoshme.
Në fund të fundit, vlera e një njeriu matet nga ajo që lë pas. Disa lënë pasuri, disa poste e disa kujtime siç ka edhe nga ata që lënë institucione, shembuj dhe vetëdije.
Në këtë kuptim, jeta dhe veprimtaria e Dr Anton Lajçajt përbëjnë një dëshmi se si një njeri mund të jetojë larg atdheut pa u larguar kurrë prej tij. Dhe ndoshta ky është përkufizimi më i bukur i patriotizmit modern i cili nuk është thjesht bamirësi por në planin filozofik, mbetet investim në kujtesën kolektive
Në këtë aspekt ai e ka parë Amerikën si tribunë ku mund të dëgjohet fjala shqiptare.
Dr Anton Lajçaj nuk mund të kuptohet pa Tuzin. Tuzi nuk mund të kuptohet pa kujtesën e qëndresës. Dhe kjo kujtesë nuk mund të kuptohet pa emrin e Prek Calit. Por meritë e Dr Anton Lajçajt është se ai nuk është mbështetur te lavdia e trashëguar. Ai është përpjekur të krijojë lavdinë e veprës së vet. Kjo është arsyeja pse emri i tij nuk mbetet vetëm një vazhdim i një tradite familjare, ai bëhet pjesë e një tradite më të madhe, asaj të shqiptarëve që largësinë nga atdheu e shndërrojnë në shërbim për atdheun.
Në historinë shqiptare ekzistojnë njerëz që mbajnë poste dhe njerëz që mbajnë barrë. Postet ndryshojnë me kohën. Barra mbetet.
Kur vështron jetën dhe veprimtarinë e Dr Anton Lajçajt, të krijohet përshtypja se ai ka zgjedhur barrën e përgjegjësisë ndaj brezave.
Në një epokë kur shumë njerëz përpiqen të çlirohen nga pesha e së kaluarës, ai duket se ka bërë të kundërtën, e ka marrë mbi supe, udhëton me të dhe e ka kthyer në energji krijuese.
Origjina ka rëndësi jo sepse e bën njeriun më të madh por sepse i kujton atij se nuk është i vetëm.
Filozofi francez Ernest Renan shkruante se kombi është një plebishit i përditshëm.
Me fjalë të tjera, kombi nuk ekziston vetëm sepse e kemi trashëguar.por sepse çdo ditë vendosim ta ruajmë.
Pikërisht këtë ka bërë çdo ditë të jetës së tij Dr Anton Lajçajt.
Ai e ka kuptuar se shqiptarët e Malit të Zi nuk rrezikohen vetëm nga varfëria apo emigrimi por edhe nga harresa. Asimilimi nuk vjen gjithmonë me dhunë.
Shpesh vjen me indiferencë apo kur fëmijët nuk e mësojnë më gjuhën e gjyshërve, kur kënga zëvendësohet nga heshtja, kur historia nuk rrëfehet më, kur identiteti konsiderohet barrë.
Përballë këtij procesi të ngadaltë, por të rrezikshëm, Dr Anton Lajçaj ka zgjedhur të jetë zëri që kujton.
At Gjergj Fishta e quante gjuhën “gjaku i shpirtit të kombit” ndërsa Martin Camaj e shihte si strehën e fundit të identitetit.
Në këtë traditë mendimi qëndron edhe Dr Anton Lajçaj.
Ai e sheh shqipen si atdhe.
Ka qenë një mënyrë për t’i thënë brezit të ri:
-Ju mund të jeni amerikanë në shtetësi, por nuk duhet të jeni jetimë në identitet.”
Kjo është ndoshta arritja më e madhe e veprimtarisë së tij që nuk prodhon nostalgji por vazhdimësi. Në botën moderne patriotizmi shpesh keqkuptohet e ngatërrohet me retorikën, me deklaratat e zhurmshme, me emocionet e momentit. Por patriotizmi i vërtetë ngjan me punën e kopshtarit. Mbjell sot atë që do të japë fryt nesër pa qenë i sigurt nëse do ta shohë vetë frytin. Në këtë kuptim, dr Anton Lajçaj mishëron një formë të rrallë të atdhetarisë moderne.
Ai nuk lufton kundër askujt por punon për diçka.
Kur historianët shkruajnë për një epokë, zakonisht përmendin politikanët, luftërat dhe ngjarjet e mëdha duke harruar që mbijetesa e një kombi varet nga mësuesit, priftërinjtë,intelektualët nga ata që ruajnë fijet e padukshme që bëjnë bashkë një komunitet.
Dr Anton Lajçaj duket se i përket pikërisht kësaj kategorie, atij brezi shqiptarësh që kuptuan se mërgimi nuk duhet të jetë fundi i identitetit.
Në një kohë kur proceset e asimilimit kanë vepruar për dekada mbi shqiptarët e Malit të Zi, ai është bërë një nga zërat më këmbëngulës pa luftuar për të mbetur në histori si individ.
Nëse do ta përkufizoja figurën e Dr Anton Lajçajt me një metaforë, ajo nuk do të ishte flamur. Flamuri valëvitet vetëm në ditë festash. Ajo do të ishte rrënjë. Rrënja nuk, nuk kërkon lavdi, por mban pemën gjallë. Kjo është arsyeja pse puna e tij nuk matet me numrin e fjalimeve apo fotografive publike, por me gjurmët që ka lënë në jetën kulturore dhe kombëtare të komunitetit shqiptar.


