Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi (KKSH) ka reaguar me shqetësim ndaj një veprimi të policisë në komunën e Ulqinit, ku një qytetar shqiptar u mor në pyetje për shkak të ngritjes së flamurit kombëtar në pronën e tij private.
Në dokumentet zyrtare të policisë flamuri shqiptar është përshkruar si “flamur i një shteti tjetër” — një interpretim që këshilli e quan të pasaktë dhe të paligjshëm. KKSH thekson se flamuri shqiptar është pranuar zyrtarisht nga Qeveria e Malit të Zi më 24 shtator 2020 dhe dokumenti “Etaloni i stemës, flamurit, himnit dhe festës kombëtare të popullit shqiptar në Mal të Zi” u dorëzua në Kuvend më 23 mars 2021.
Në deklaratë thuhet se neni 4 i Ligjit për Simbolet Kombëtare u jep të drejtë pakicave të përcaktojnë simbolet e tyre, ndërsa neni 23 i Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike thekson se përdorimi i simboleve të një pakice kombëtare nuk mund të konsiderohet shkelje ligjore.
Duke qenë se ngjarja ndodh në prag të festës së 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar, KKSH kërkon nga institucionet përkatëse që të ndalin çdo formë presioni mbi qytetarët shqiptarë që dëshirojnë të shprehin identitetin dhe krenarinë e tyre kombëtare përmes simboleve kombëtare.
“Respektimi i ligjit dhe i të drejtave të fituara të pakicave nuk duhet të jetë i diskutueshëm, sidomos në një shoqëri që aspiron vlerat demokratike dhe bashkëjetesën ndëretnike”, thuhet ndër të tjera në reagimin e firmosur nga kryetari i KKSH-së, Faik Nika.
Në përfundim, Këshilli njofton se i ka drejtuar një shkresë zyrtare institucioneve shtetërore përgjegjëse, duke kërkuar masa konkrete për të parandaluar përsëritjen e rasteve të ngjashme dhe për të garantuar respektimin e të drejtave të pakicës shqiptare në Mal të Zi.
/MALESIA.ORG/