Një ngjarje e pazakontë dhe provokuese ka ndodhur në qendër të Nju Jork-ut, aty ku jeton njëra nga diasporat më të mëdha dhe më të fuqishme shqiptare. Tre kamionë, të pajisur me ekrane gjigante LED, janë parë duke qarkulluar në rrugët e Manhatan-it, deri edhe në sheshin më të njohur – Times Square – duke transmetuar pamje propagandistike kundër Kosovës.
Në mesazhet e shfaqura, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzohej për “terrorizim ndaj serbëve në Kosovë e Metohi”, duke përsëritur narrativat e njohura serbe.
Organizatorët e kësaj fushate, që sipas mediave serbe janë përfaqësues të diasporës serbe në SHBA së bashku me disa biznese private, deklaruan se aksioni u zhvillua në prag të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për të “kujtuar opinionin ndërkombëtar se serbët nuk janë dorëzuar dhe do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën dhe drejtësinë”.
Ky provokim i hapur në një prej qyteteve më të mëdha dhe më mediatike të botës pritej të gjente një reagim të fuqishëm nga diaspora shqiptare, e cila njihet si ndër më të organizuarat dhe me ndikim në SHBA. Megjithatë, deri tani, heshtja e plotë ka qenë përgjigjja e vetme përballë përhapjes së kësaj propagande.
Lajmi u raportua fillimisht nga agjencia serbe Tanjug dhe më pas u shpërnda gjerësisht nga mediat serbe më 24 shtator 2025.
/MALESIA.ORG/
Video: Plava e Gucia Sot