Një reflektim personal nga një shqiptar i Amerikës me rrënjë në Malësi të Madhe (Tuz)
Para se të jetoja në Shqipëri, gjatë vizitave për pushime, kisha vërejtur rrugë të reja, hotele, pallate e ndërtime gjithandej. Mendoja se qeveria po punonte për zhvillimin e vendit dhe se shqiptarët s’kishin pse me u ankue. Por, mbas dy vitësh jetese në Tiranë me familjen time, kuptova se përtej fasadës fshihej një realitet krejt tjetër.
Për ne si familje, kjo përvojë ishte një hapje e madhe e syve. Ëshë një gjë me e dashtë atdheun prej largësisë dhe me e vizitue për pushime, ndërsa krejt tjetër është tëjetosh mes njerëzve të tij, me pa vështirësitë që përballojnë çdo ditë dhe me kuptue sa e vështirë është për një familje mesatare me ndërtue një jetë me dinjitet. Kjo përvojë na ka bërë me e kuptue më thellë realitetin e popullit tonë dhe më ka forcuar lidhjen me atdheun.
Rrugët, hotelet e pallatet e reja nuk janë tregues se jeta e popullit po përmirësohet. Pyetja është e thjeshtë: kush po përfiton prej këtij zhvillimi? Për shumë familje, çmimet e lalra, pagat e kufizuara dhe mungesa e vendeve të punës gjatë gjithë vitit e bëjnë jetën gjithnjë e më të vështirë. Për shumë të rinj, emigrimi duket si e vetmja rrugë drejt një të ardhme më të mirë.
Bukuri e jashtëzakonshme, por pengesa të mëdha
Shqipëria është ndër vendet më të bukura të kontinentit evropian për nga natyra. Malet, bregdeti, lumenjtë dhe luginat tona janë pasuri të jashtëzakonshme. Vendi ka potencial të madh për turizëm, bujqësi, industri dhe zhvillim ekonomik.
Por, bukuria natyrore nuk mjafton kur qytetari përballet me çmime të larta, paga që nuk i’a mbulojnë shpenzimet dhe pasiguri për të ardhmen. Një vend nuk matet vetëm me hotele të reja e rrugë moderne, por edhe me mundësinë që një familje me jetua me rrogën e vet dhe me rritë fëmijët pa pasë frikë se çfarë e pret të nesërmen.
Gjatë qëndrimit tonë, pata mundësinë me hy në dyqane ushqimore ne Itali dhe u befasova kur pashë se disa produkte të zakonshme, përfshi mishin dhe pijet, kushtoshin shumë më lirë se ç’kisha pa në Shqipëri. Kjoishte një vërejtje personale, jo një krahasim i plotë i tregjeve të të dy vendeve. Megjithatë, më bëri me pyetë se si mundet një popull me paga më të ulëta ne rajon me përballue çmime kaq të larta për nevojat e përditshme?
Edhe karburanti, tarifat rrugore dhe kostot e tjera i’a shtojnë barrën qytetarit.
Zhvillimi duhet t’i shërbejë popullit
Turizmi dhe ndërtimi mund të krijojnë vende pune e të sjellin të ardhura, por Shqipëria nuk mundet me e mbështet të ardhmen vetëm mbi hotele, restorane, pallate dhe punë sezonale. Ne na duhet industria e zhvilluar, prodhimi vendas, bujqësia moderne dhe vende pune me paga të denja e mundësi për zhvillim profesional.
Një ekonomi nuk mund të quhet e suksesshme vetëm sepse disa biznese lulëzojnë. Suksesi duhet me u ndijeedhe në tryezën e familjes së zakonshme, në mundësinë që një i ri me gjetë punë si duhet në vendin e vet.
Shteti duhet me mbrojtë interesin publik, jo interesat e ngushta të atyre që janë në pushtet apo bashkpunim me pushtetin.
Në Malësi kemi një thënie të vjetër: “Fjala e popullit asht fjala e Zotit.” Ajo na kujton se zëri i qytetarit duhet të dëgjohet. Paraardhësit tanë kanë bërë sakrifica të mëdha për atdheun dhe ne kemi përgjegjësi me e mbrojtë atë trashëgimi, jo vetëm prej kërcënimeve të jashtme, por edhe prej padrejtësisë, korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin.
Nga Malësia në Amerikë, me zemrën te atdheu
Si shqiptar i Amerikës me rrënjë në Malësi, e kam ndije lidhjen me atdheun gjithmonë, por koha ime e shkurt në Shqipëri më ka forcuar edhe më shumë. Kjo lidhje ështërritë në zemrën time, sepse tash nuk e shoh vendin vetëm përmes kujtimeve, historisë apo bukurisë së tij, por edhe përmes jetës së njerëzve që e quajnë shtëpi.
Bashkë me bashkëshortën dhe familjen time, kemi kuptuar se dashuria për atdheun bëhet më e thellë kur e sheh realitetin nga afër. Është prekëse me kuptue se sa shumë njerëz punojnë e sakrifikojnë, por prapë nuk e kanë sigurinë ekonomike dhe mundësinë që meritojnë.
Kjo përvojë na ka shtyrë me menduar edhe për shqiptarët në krejt trojet e tyre. Historia jonë është e mbushur me periudha të sundimit të huaj e shtypje, ndërsa sot shumë shqiptarë vazhdojnë me u përballë me sisteme ku ndihen të pafuqishëm për me vendosë mbi të ardhmen e vet.
Nuk duhet me qenë e nevojshme me e braktisë vendin tënd për me pasë një jetë më të mirë. Askush nuk duhet të detyrohet me zgjedhë mes dashurisë për atdheun dhe mundësisë me ushqye familjen.
Unë e dua Shqipërinë dhe popullin tim. Pikërisht për këtë arsye, nuk mundem me vazhdua në heshtje duke menduaredhe për pengesat që e ndalojnë popullin me përparue. Patriotizmi nuk është vetëm me valvitë flamurin; ështëme kërkue drejtësi, me mbrojtë dinjitetin e njerëzve dhe mos me pranua padrejtësinë si diçka normale.
Shqipëria meriton më shumë se një fasadë të bukur. Populli shqiptar meriton paga të denja, drejtësi, mundësi dhe liri. Kjo është Shqipëria që duhet me ndërtue për brezat e ardhshëm, në mënyrë që fëmijët tonë të kenë arsye me e dashtë atdheun jo vetëm për bukurinë e tij, por edhe për jetën që mund të ofrojë.
Arben Marku Gjokaj,
10 Tetor 2026,
Washington Township, Michigan, SHBA


