Shkruan: Ali Salaj
Përmes libave dhe teksteve të shumta, Qani Osmani na tregoi se pikëpamjet e shprehura pa ndërgjegje janë shkatërrim i shpirtit dhe i imazhit intelektual. Andaj, ai ishte mjaft i përgjegjshëm për tekstet në fjalë. Të merresh me shkrime është kënaqësi dhe guxim, por, njëkohësisht, është edhe sfidë dhe përgjegjësi e madhe. Shkrimi bart në vete shumë sfida dhe provokime të kohës, por, njëkohësisht, edhe ndjenjën e përgjegjësisë dhe të autenticitetit.
Në literaturën sociopolitike në gjuhën shqipe, studime të këtilla dhe analiza mbi ndikimin e tyre në zhvillimin e demokracisë janë të rralla. Shkrimet e Qani Osmanit mbushin një vakum analitik në këtë fushë, veçanërisht në analizat e veprimeve politike të shqiptarëve në Mal të Zi, ku për këto çështje është shkruar më shumë në rrafshin publicistik.
Qaniu ishte një veprimtar i pashoq, i cili, me gjithë thellësinë e shpirtit, dëshironte t’i kontribuonte lëvizjes demokratike të shqiptarëve në Mal të Zi dhe të nxiste partitë politike shqiptare që të faktorizoheshin përballë politikës malazeze. Edhe pse ishte përfaqësues i një partie politike shqiptare dhe anëtar i KKSH-së, ai kundërshtonte çdo nismë që shkaktonte përçarje në bashkëpunimin ndërshqiptar.
Këtë frymë e dëshmoi edhe në drejtimin e gazetës “Koha Javore”, ku, si kryeredaktor, u përpoq të ruante ekuilibrin në informim dhe pavarësinë editoriale. Ai nuk pranoi që gazeta të shndërrohej në instrument të partive politike apo të grupeve të ndryshme të interesit. Për të, gazetaria ishte mision publik dhe jo shërbim ndaj pushtetit, partisë apo individëve.
Duke ruajtur personalitetin dhe integritetin e vet intelektual, ai nuk pati mbështetjen e duhur nga partia, por as nga disa intelektualë mediokër. Përkundrazi, përmes intrigave të ndryshme, ai u gjend në një vorbull të neveritshme shoqërore, në të cilën, gjatë bisedave private, shfaqte shqetësimin për nivelin e tjetërsimit të njeriut.
Ai kishte një mendim kritik dhe ishte kundër turmës imituese. Në bisedat e shpeshta që kishim, shprehte indinjatën e tij për manipulimin e bazuar në instinkte. Edhe pse, në fillimet e punës në “Koha Javore”, i sugjerova që të mos ngarkohej nga sulmet e ndryshme të njerëzve, sidomos të militantëve partiakë, të cilët nuk e njihnin gazetarinë, dhe të mos shqetësohej nga strukturat politike me aftësi të kufizuara, këtë ia kërkova duke u mbështetur në përvojën time. I këshillova që trysnitë dhe pragmatizmin e tyre, shpeshherë të pamoralshëm, t’i hidhte pas krahëve.
Megjithatë, Qaniu kishte një ndjeshmëri të veçantë, të pambrujtur me djallëzi, e cila e bënte të brishtë dhe i shkaktonte dhimbje të brendshme. Kjo gjendje, fatkeqësisht, ndikoi në përkeqësimin e shëndetit të tij dhe e çoi drejt fatalitetit para kohe.
Zhgënjimi i Qaniut si intelektual ishte, në të njëjtën kohë, zhgënjim i një pjese të elitës intelektuale, e cila përplaset me një mjedis ku mbizotëron servilizmi dhe mungon meritokracia. Në kohën më të vështirë, Qaniun e lanë në baltë bashkëpartiakët, servilët, shokët e interesit dhe oportunistët.
Një intelektual që kuptoi shumë gjëra dhe i artikuloi ato publikisht, e përjetoi rëndë këtë gjendje. Injorancën e kësaj shtrese shoqërore dhe intelektuale e dëshmoi edhe fakti se, pas vdekjes së tij, nuk iu kushtua as edhe një orë përkujtimore. Nuk u organizua as një orë përkujtimore nga Forca e Re Demokratike, ku Qaniu kishte qenë pjesë e strukturave udhëheqëse, as nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve, ku ishte anëtar, dhe as nga “Koha Javore”, ku kishte shërbyer si kryeredaktor.
Kjo heshtje nuk ishte vetëm një mungesë ceremoniale. Ajo ishte një dëshmi e dhimbshme e mënyrës se si shoqëria jonë shpesh i trajton intelektualët e saj. I shfrytëzon sa janë të dobishëm dhe i harron kur ata nuk janë më.
Le të jetë ky promovim një orë përkujtimore për veprën, përkushtimin dhe dinjitetin e tij. Le të jetë një moment reflektimi për të gjithë ne, për mënyrën se si i trajtojmë intelektualët tanë dhe për përgjegjësinë që kemi ndaj fjalës së lirë, mendimit kritik dhe vlerave demokratike.
Qani Osmani u përpoq me çdo mjet ta ruante dinjitetin dhe pavarësinë e vet. Ai nuk u pajtua me heshtjen, nuk u dorëzua para servilizmit dhe nuk e braktisi bindjen se fjala e lirë është një nga shtyllat themelore të një shoqërie demokratike.
Dhe pikërisht për këtë, kujtimi i tij nuk duhet të mbetet vetëm në librat që la pas, por të jetojë në ndërgjegjen tonë, në mënyrën se si mendojmë, shkruajmë dhe veprojmë.
Intelektualët e vërtetë nuk jetojnë vetëm me kohën. Ata vazhdojnë të flasin edhe atëherë kur zëri i tyre është shuar.



