Flamuri shqiptar nuk është kërcënim – ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë, ka deklaruar ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj.
Mali i Zi, si një shtet demokratik dhe evropian, duhet të ketë standarde të njëjta për të gjithë. Ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë.
Nuk është mirë që të vazhdojnë standardet e dyfishta ndaj flamurit shqiptar nga ana e Polocisë.
Nuk duhet të kemi frikë nga flamujt shqiptarë. Përkundrazi, duhet të respektojmë qytetarët që e mbajnë atë.
Kemi qenë dëshmitarë të ndërhyrjeve edhe gjatë verës për shkak të flamurit shqiptar në dasma dhe gëzime familjare, ndërsa mbrëmë edhe ndaj diasporës shqiptare në pikën kufitare me Bosnjë e Hercegovinën.
Ata kanë kaluar nëpër gjithë Evropën dhe vetëm policisë sonë i ka penguar flamuri shqiptar!
Ndërkohë, edhe nëpër institucione valëviten flamuj të shteteve të tjera, shpesh në kundërshtim me ligjin.
Dua të theksoj – flamuri shqiptar nuk është kërcënim për askënd. Ai është simbol i identitetit, lirisë dhe vazhdimësisë historike të miliona shqiptarëve – nga Skënderbeu e deri më sot.
I tillë ka qenë për më shumë se pesë shekuj dhe nuk do ta heqë asnjë presion.
Në vend të përpjekjeve të tilla, bëj thirrje që të diskutojmë për rregulla më të mira dhe për respektimin e vazhdueshëm të asaj që u takon të gjithë popujve në Mal të Zi.
Vetëm kështu mund të shkojmë drejt Evropës.
Do t’ia kujtoj opinionit publik se shpalosja e flamurit shqiptar në Mal të Zi është në përputhje me ligjin dhe se Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve ia ka dorëzuar simbolet kombëtare kryetarit të Kuvendit në vitin 2021, më saktësisht më 28 janar 2021.
Kryetarit të Kuvendit, Aleksa Beçiq, iu dorëzuan etalonet e stemës dhe flamurit, si dhe partitura e himnit të shqiptarëve në Mal të Zi.
Delegacionin e përbënin Faik Nika, Lindon Gjelaj dhe Genci Nimanbegu.


