Vitoja e Malësisë do të jetë për tri ditë në qendër të jetës folklorike shqiptare, me zhvillimin e Festivalit Mbarëkombëtar të Folklorit “Rapsha 2026”, më 21, 22 dhe 23 gusht.
Festivali, i organizuar nga SHKA “Rapsha”, do të mbledhë shoqëri dhe ansamble folklorike nga Malësia, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Gucia, si dhe nga diaspora. Përmes këngëve dhe valleve tradicionale, pjesëmarrësit do të sjellin në skenë pasurinë dhe larminë e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Një nga momentet kryesore të festivalit do të jetë defilimi nëpër qendrën e Tuzit, i cili do të nisë në orën 17:30, ndërsa aktiviteti festiv në Vitojë do të vijojë nga ora 20:00.
“Rapsha 2026” synon të kontribuojë në ruajtjen dhe promovimin e folklorit shqiptar, duke bashkuar në një skenë artistë e ansamble nga trevat shqiptare dhe diaspora.
Për tri ditë, Vitoja pritet të kthehet në një pikëtakim të këngës, valles, traditës dhe identitetit shqiptar, në një manifestim që përcjell brez pas brezi vlerat e trashëgimisë sonë kulturore.
/MALESIA.ORG/


