Procesi i ndarjes territoriale ndërmjet Komunës së Tuzit dhe Podgoricës pritet të marrë epilog deri në fund të muajit qershor. Kështu ka bërë të ditur Dragana Gjurishiq, e cila udhëheq Komisionin e Arbitrazhit të formuar nga Qeveria për zgjidhjen e kësaj çështjeje shumëvjeçare.
Sipas saj, përfaqësuesit e të dy komunave tashmë kanë dorëzuar propozimet e tyre lidhur me kufijtë territorialë, ndërsa Komisioni do të marrë vendimin përfundimtar pas shqyrtimit të tyre.
“Me përfundimin e Qeverisë për formimin e Komisionit të Arbitrazhit është caktuar afati prej 90 ditësh për realizimin e detyrës dhe pres që deri në fund të qershorit të kemi kufij të qartë mes Kryeqytetit dhe Komunës së Tuzit”, deklaroi Gjurishiq.
Ajo sqaroi se Komisioni përbëhet nga tetë anëtarë dhe vendimet do të merren me shumicë votash. Në rast të barazimit, vota vendimtare do të jetë ajo e kryetares së Komisionit.
Përveç çështjes së kufijve, ende mbetet e hapur edhe ndarja e pronës ndërmjet dy vetëqeverisjeve lokale. Në këtë drejtim, Komisioni ka kërkuar tashmë evidencën e pronave të regjistruara pas formimit të Komunës së Tuzit.
Gjurishiq theksoi se pret që vendimi përfundimtar të kontribuojë në funksionimin më efikas të të dy komunave dhe në tejkalimin e mosmarrëveshjeve që kanë vazhduar prej vitesh.
Procedura e arbitrazhit u inicua pasi negociatat ndërmjet palëve nuk arritën të sjellin një marrëveshje përfundimtare për ndarjen territoriale.
/MALESIA.ORG/



