Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi se Shqipëria po hedh hapa konkretë në zhvillimin e industrisë ushtarake, përmes ngritjes së linjave të prodhimit për dronë, municione dhe uniforma ushtarake e policore, me synim forcimin e sigurisë kombëtare.
Në një konferencë për shtyp, Vengu bëri të ditur se gjatë këtij viti parashikohet hapja e 326 vendeve të reja pune në industrinë e mbrojtjes. Sipas tij, kanë nisur rekrutimet për sektorët e municioneve, uniformave dhe dronëve, ku 49 vende janë të dedikuara për inxhinierë dhe 68 për teknikë të diplomuar në shkollat profesionale në vend.
Ministri theksoi se dinamika e rekrutimeve lidhet me afatet e vendosura për nisjen e punës nga katër kompani prodhuese, në zbatim të gjashtë kontratave të firmosura.
Ai njoftoi se në mes të prillit pritet të nisë linja e asemblimit të sistemeve të dronëve në uzinën e autotraktorëve. Aktualisht po rekrutohen 12 inxhinierë dhe personel teknik, ndërsa në bashkëpunim me kompaninë shtetërore KAYO dhe Agjencinë e Industrisë së Mbrojtjes do të organizohen ture informuese në universitete dhe institucione arsimore për të tërhequr kandidatë të rinj.
Sipas Vengut, në muajin maj përfundon ndërtimi i fabrikës së tekstileve “Guna Tactical” në zonën e Babrrusë, ku do të nisë prodhimi i uniformave. Prodhimi fillestar do të synojë furnizimin e Policisë së Shtetit dhe njësive të veçanta të Forcave të Armatosura.
Ndërkohë, korriku është afati i parashikuar për nisjen e prodhimit të municioneve. Linja do t’i nënshtrohet procesit të certifikimit nga Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes, përpara se të vijojë prodhimi sipas kalibrave përkatës.
/MALESIA.ORG/



