Në shkollën fillore “Mahmut Lekiq” në Tuz u shpërnda sot Abetarja Mbarëkombëtare për nxënësit e klasave të dyta, duke shënuar fillimin e një nisme të rëndësishme për ruajtjen dhe forcimin e gjuhës shqipe në Mal të Zi.
Ceremonia u zhvillua në prani të ambasadores së Shqipërisë në Podgoricë, znj. Zhaklinë Peto, ministres së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit të Malit të Zi, znj. Angjella Jakshiq-Stojanoviq, drejtorit të shkollës, z. Luigj Dedvukaj, si dhe aktivistes e humanistes së njohur shqiptare, znj. Emina Çunmulaj.
Nisma është rezultat i bashkëpunimit të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi dhe Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, me mbështetjen e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe të Ministrisë së Arsimit të Malit të Zi.
Pas miratimit nga një komision i posaçëm i ngritur nga Ministria e Arsimit, u mundësua shpërndarja e Abetares në të gjitha shkollat fillore ku zhvillohet mësimi në gjuhën shqipe.
Në koordinim me Ambasadën e Shqipërisë, shpërndarja e Abetares do të vazhdojë në ditët në vijim në të gjitha shkollat me mësim shqip në Mal të Zi.
Abetarja Mbarëkombëtare do të përdoret si mjet shtesë.
Hapat e ndjekur deri në realizimin e kësaj nisme:
– Kombëtar, në bashkëpunim me Ambasadën i është drejtuar Ministrisë së Arsimit me kërkesë për miratimin e përdorimit të Abetares Mbarëkombëtare për filloristët shqiptar në Malin e Zi.
– Ministria e Arsimit ka ngritur një komision profesionistësh, ku Këshilli Kombëtar ka deleguar përfaqësues; komisioni dha mendim pozitiv.
– Ambasada e Shqipërisë në Mal të Zi, me mbështetjen e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, siguroi kopjet e nevojshme të Abetares për vitin shkollor 2025/26.
/MALESIA.ORG/




