Shfaqja e filmit “Lejleku” të regjisorit shqiptar, Isa Qosja, në festivalin e filmit Xhada në Podgoricë të Malit të Zi, u ndërpre derisa po shfaqej për publikun në mjedis të hapur më 3 shtatorit.
Ajo u ndërpre për shkak të pakënaqësive të shprehura zëshëm nga një grup personash ende të panjohur, të cilëve, siç thuhet, u pengoi fakti që filmi ishte në gjuhën shqipe.
Policia ka konfirmuar se po heton incidentin dhe është njoftuar prokurori i shtetit.
Ndërprerjen e dhunshme të filmit “Lejleku” e dënuan ashpër organizatat joqeveritare, të cilat theksuan se kjo përbën sulm të rrezikshëm ndaj lirisë së shprehjes artistike e kulturore dhe shpërfaqje të hapur të urrejtjes për shkak të përkatësisë kombëtare dhe gjuhës.
Ato thanë se presin nga policia dhe prokuroria të zbulojnë autorët dhe u bëjnë thirrje partive në pushtet të reagojnë.
“Partitë në pushtet mbajnë përgjegjësi për një sërë provokimesh nacionaliste që i paraprinë këtij rasti, dhe rrjedhimisht edhe për destabilizimin e Malit të Zi si shtet qytetar. U bëjmë thirrje përfaqësuesve më të lartë të pushtetit të parandalojnë incidente të tjera dhe prishjen e harmonisë multietnike”, thanë to.
Shqetësim për ndërprerjen e dhunshme shprehu edhe delegacioni i Bashkimit Evropian në Mal të Zi, i cili e kishte financuar festivalin Xhada.
Festivali, në edicionin e tij të dhjetë jubilar, zhvillohet nga 2 deri më 7 shtator në pjesë të ndryshme të Podgoricës.
Ky film është bashkëprodhim i Malit të Zi me Kosovën.
Filmi ‘Lejlek’ është përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.
Filmi flet për një fshat të përgjumur në Malin e Zi, ku shumica e vendasve kanë emigruar në SHBA.
/MALESIA.ORG/