Një grup nxënësish nga shkolla fillore “Mahmut Lekiq” nga Tuzi vizituan sot Institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Gjatë kësaj vizite, nxënësit u njohën me ambientet e Institucionit të Presidentit, ku zhvillohen takime të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare, funksionin, vendimmarrjet, si dhe aktivitetet kryesore.
Ndërkohë që Presidenti i Republikës, Bajram Begaj i uroi mirëseardhjen miqve të vegjël nga Tuzi, nxënësit e përshëndetën me një këngë me çifteli dhe me interpretimin e një poezie patriotike.
Duke theksuar rëndësinë e intensifikimit të vizitave të ndërsjella mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Malit të Zi, Presidenti Begaj u shpreh se “me anëtarësimin e përbashkët në Bashkimin Evropian, kufijtë do të mbeten vetëm në hartë”.
Kreu i Shtetit propozoi hapjen e dyerve të institucioneve për fëmijët nga të gjitha trevat dhe zhvillimin e vizitave të tyre në familjet shqiptare, por edhe mësimin e historisë në institucionet përkatëse.
Begaj përgëzoi drejtorin e shkollës, Luigj Dedvukaj, dhe mësimdhënësen Hana Camaj për pasionin dhe dashurinë në ushtrimin e profesionit dedikuar mësimit të gjuhës shqipe.