Shkruan: Lindon Gjelaj, kryetar i Komunës së Tuzit
Gjatë këtyre ditëve pushimi, duke lexuar shtypin dhe analizuar deklaratat e disa politikbërësve në Mal të Zi, më lindi një pyetje e thjeshtë, por thelbësore: Ku ishte Malësia para vitit 2018?
Këtë pyetje e parashtroj si biri i këtij vendi, i barabartë me të gjithë të tjerët, të cilit i ka rënë barra dhe nderi të jetë sot në krye të saj.
Për shumë vite me radhë, Malësia qëndronte në cep të harresës. Një krahinë me histori, me identitet të thellë shqiptar dhe me potencial të pamatshëm, ishte lënë mënjanë nga zhvillimi dhe përparimi që natyrshëm do t’i takonin.
Komuna e Tuzit ishte zhbërë dhe shqiptarët ndiheshin të përjashtuar nga vendimmarrja, nga përfaqësimi dhe nga të gjitha proceset e rëndësishme që formësojnë jetën institucionale dhe publike të një vendi. Përpjekjet për rikthimin e statusit të komunës ishin të hershme.
Që nga fillimi i pluralizmit politik, shumë zëra, nga diaspora e deri në Malësi, kërkuan drejtësi për këtë krahinë. Por, për fat të keq, ato zëra shpesh u shpërndanë në drejtime të ndryshme, duke e dobësuar përpjekjen e përbashkët.
Në mungesë të një vizioni të unifikuar, Malësia mbeti peng i një politike që nuk e kishte zhvillimin e saj në prioritetet strategjike.
Pastaj erdhi një vizion. Një udhëheqje ndryshe.
Lindi Forumi Shqiptar, me një lider që besonte në bashkim, jo në ndarje. Nik Gjeloshaj dhe bashkëmendimtarët e tij krijuan një projekt politik që nuk kishte si qëllim vetëm fitimin e zgjedhjeve, por rilindjen e një krenarie të mohuar ndër vite.
Malësia, ashtu si vendet e tjera me dinjitet dhe identitet, filloi të ecë përpara me hap të sigurt, duke rifituar dinjitetin institucional dhe duke hyrë në një epokë të re zhvillimi dhe përfaqësimi.
Bashkimi i shqiptarëve në një listë të Forumin Shqiptar u kthye në çelësin e suksesit. Ishte ky momenti kur Malësia filloi të ngrihej, jo vetëm si komunë, por si model i përfaqësimit dinjitoz të shqiptarëve në Mal të Zi e më gjerë.
Rikthimi i Komunës së Tuzit në vitin 2018 dhe fitorja e Forumit Shqiptar në zgjedhjet e para komunale më 2019 shënuan një kthesë historike , jo vetëm për vendlindjen, por edhe për diasporën tonë, e cila ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë proces.
Jo vetëm që Malësia fitoi statusin institucional që e meritonte prej kohësh, por nisi edhe një periudhë konkrete progresi. U ndertua infratrukturë rrugore, ndërtuan stadiume , parqe, sheshe, u rinovuan shkolla dhe institucione, mbi të gjitha u përmirësuan ndjeshëm shërbimet dhe kushtet e jetesës për qytetarët.
Gjithnjë e më shumë të rinj sot po gjejnë mundësi punësimi dhe perspektivë në vendin e tyre. Për herë të parë në histori, shqiptarët në Mal të Zi filluan të përfaqësohen në nivelet më të larta shtetërore. Asnjëherë më parë nuk kishim pasur zë më të fortë dhe më të qartë në institucionet kyçe të shtetit. Ishte kjo një dëshmi e fuqishme se kur jemi të bashkuar, mund të arrijmë shumë.
Malësia sot nuk është më ajo e harresës. Ajo është Malësia e shpresës, e zhvillimit dhe e së ardhmes, simbol i bashkimit, i përfaqësimit dhe i dinjitetit kombëtar. Dhe kjo është vetëm fillimi.
E ardhmja u përket atyre që nuk harrojnë rrënjët, por guxojnë të ndërtojnë të ardhmen mbi to.
Sot kemi më shumë arsye se kurrë për të qëndruar, për të punuar dhe për të ndërtuar jetën tonë këtu, në vendin tonë.
Ju ftoj të mos ndalemi në përpjekjen për ta zhvilluar më tej Malësinë tonë dhe të mos harrojmë kurrë se fati i këtij vendi është në duart tona!