Mbledhaj konstitutive Kuvendit, 15 ditë pas shpalljes së rezultateve zyrtare
Mbledhja e parë e përbërjes së re të Kuvendit të Malit të Zi, do të mbahet më së largëti pesëmbëdhjetë ditë pas shpalljes ë rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare.
Sipas Kushtetutës së Malit të Zi, këtë mbledhje e inicion kryetari i deritashëm i Kuvendit. Parlamenti i Malit të Zi numëron gjithsejtë 81 deputet dhe sipas rezultateve preliminare të qendrës për monitorim, Koalicioni Mali i Zi Evropian, ka fituar 39 mandate, Fronti demokratik 20, SNP 9, Mali i Zi pozitiv 7, Partia Boshnjake 3 dhe Forca për bashkim, Koalicioni shqiptar dhe Iniciativa kroate nga një mandat.
Me Kushtetutë po ashtu parashihet presidenti i Malit të Zi, të propozoi mandatarin për në afatin prej 30 ditëve pas konstituivit të Kuvendit. Nga ana tjetër, mandatari për përbërjen e qeverisë duhet të paraqes në Kuvend programin e vet dhe të propozoj përbërjen e qeverisë. Kuvendi njëkohësisht, vendos për programin e mandatorit dhe propozimin për përbërjen e qeverisë.
Nuk ekziston mundësia e formimit të qeverisë së unitetit nacional.
DPS ka vlerësuar se nuk ekziston mundësia e formimit të qeverisë së unitetit nacional nga shkaku se këtë qeveri do ta përbënin persona të cilët nuk e pranojnë Malin e Zi.
Nga ana tjetër kryetari i Frontit demokratik, Miodrag Lekic, ka deklaruar mbrëmë se do të inicioj dialogun me të gjitha forcat opozitare dhe të tjera me qëllim që të formoj qeverinë e unitetit popullorë.
Funksionari i DPS , Zoran Vukcevic, është shprehur se ata të cilët kanë ofruar mundësinë e formimit të qeverisë së unitetit nacional, duhet ta kuptojnë se kanë dyfish më pak mandate se sa koalicioni në pushtet.
Sipas fjalëve të tij vlerësimet se rezultatet e zgjedhjeve tregojnë fillimin e përfundimit të pushtetit aktual nuk kanë lidhje me realitetin nga shkaku se koalicioni në pushtet ka shumicën bindëse dhe se për formimin e qeverisë do të vendosin partitë nacionale të pakicave sikur deri më tani.
Qeveria e unitetit e nevojshme për Malin e Zi
Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare tregojnë se koalicioni në pushtet është tronditur, por me gjithë atë do të mbaj pushtetin sepse , sipas të gjitha gjasave, nuk ka dilemë që Milo Djukanovic, të arrijë marrëveshjen me partitë e pakicave dhe që të formojë qeverinë, konsideron kryetari i këshillit ekzekutiv të Malit të Zi të drejtë, Rade Bojovic.
Nga ana tjetër, anëtari i Forcës për bashkim , Vasel Sinishtaj ka deklaruar se Malit të Zi i nevojitet qeveria e unitetit nacional duke vlerësuar se as pushteti , por as opozita deri më tani, nuk e meritojnë mbështetjen e shqiptarëve. Ai ka shtuar se nuk dëshirojnë ti imponohen askujt, duke përsëritur deklaratën e mëparshme se kur ishte koha ti merren të drejtat pakicave , opozita dhe pushteti kishin qëndrime unike. /RTMZ/
Shqiptarët pas zgjedhjeve
Zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi përfunduan. Subjektet shqiptare edhe në këto zgjedhje ishin të përçara, ato garuan në katër lista. Megjithatë, dy koalicionet shqiptare fituan nga një mandat, kurse mandati i tretë nuk ishte larg.
Pa mandat mbeti Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH), subjekt i cili vite me radhë ishte partner i DPS-it të Milo Djukanovic dhe pjesë e qeverisë së Malit të Zi.
Në përbërjen e re në Kuvendin e Malit të Zi subjektet shqiptare do të kenë 2 vende kundrejt 4 që kishin në përbërjen e kaluar.
Nëse bëjmë krahasim me zgjedhjet e fundit parlamentare, ato të vitit 2009, numri i votave për subjektet shqiptare ka pësuar ramje. Në vitin 2009 subjektet shqiptare fituan diçka më pak se 14.000 vota kurse në zgjedhjet e javës së kaluar ato fituan diçka më pak se 13.000 vota. Mirëpo, sipas fjalëve te analisteve dhe vetë liderëve të subjekteve shqiptare, sipas ligjit të ri zgjedhor maksimumi i numrit të mandateve të mundshme për shqiptaret është 3.
Një numër mjaft i madh i votave shqiptare si në të kaluarën ashtu edhe në zgjedhjet e 14 tetorit u kanë shkuar partive qytetare-joshqiptare kryesisht DPS-it.
Kemi faktor të ndryshëm pse ajo pjesë e elektoratit shqiptarë nuk voton për subjektet shqiptare por zgjedhin të votojnë partitë jo-shqiptare. Ndër faktorët mund të cekim daljen e subjekteve shqiptare të ndara ne 4 lista, mosbashkëpunimi dhe akuzat në mes tyre, copëtimi apo dhe krijimi i subjekteve të reja shqiptare. Fushata jokorrekte e te “mëdhenjve”, premtimet, presionet, shpërblimet dhe kushtëzimet ndër më të ndryshmet si në punësim apo ruajtjen e vendit të punës dhe interesa të tjera luajnë rrol të madh. Por edhe ramja e ndërgjegjes kombëtare.
Koalicioni i DPS me dy parti të vogla SDP dhe LP ka fituar 45.7% apo 39 mandate por nuk ka arritur te fitoj shumicën absolute. Atyre u mungojnë 2 mandate për krijimin e qeverisë së re.
Sipas gjitha gjasave ata do të kërkojnë përkrahje nga partitë e pakicave për të krijuar koalicionin pas zgjedhor dhe në ketë mënyre të formojnë qeverinë.
Opsioni me i pritshëm është që ata të krijojnë qeverinë me ndihmën e partnereve të tyre të qeverisë së kaluar, Partisë Boshnjake e cila ka fituar 3 mandate dhe Iniciativës Kroate e cila ka fituar 1 mandat.
Kësaj qeveri do ti mungoj UDSH e cila nuk arriti të fitoj mandatin, megjithatë Koalicioni i Milo Djukanovic mund të krijoj shumicën pa përfshirjen e 2 mandateve të fituara nga subjektet shqiptare nëse atyre u mbesin besnik Partia Boshnjake dhe ajo Kroate.
Megjithatë, qeveria malazeze pa pjesëmarrjen e subjekteve shqiptare në të, nuk do të “shkëlqejnë” në sytë e BE-së dhe SHBA-ve, sepse ata deri me tani përmes pjesëmarrjes së UDSH-së dhe subjekteve të pakicave tjera janë paraqitur si qeveri e cila përfshinte të gjitha pakicat edhe pse shqiptarëve gjithnjë e më shumë ju morën edhe ato të drejta që kishin. Prandaj, nëse marrëveshja në mes Koalicionit të Djukanovic dhe Partisë Boshnjake apo edhe Iniciativës Kroate do të realizohet, gjë që edhe është e pritshme, ata gjithashtu do të përpiqen që në qeverinë e re të gjejnë zëvendësuesin e UDSH-së nga radhët e 2 koalicioneve shqiptare të cilët fituan mandatin.
Shqiptarët duhet të jenë shumë të kujdeseshim në këto momente, pasi me hyrjen në qeveri ata mund të vazhdojnë rrugën e UDSH-së e cila u quajt si “dekor” i qeverisë së Malit të Zi. Ashtu e quajtën edhe vet liderët e koalicioneve shqiptare që fituan mandatin.
Sikur qeveria nuk do të mund të krijohet në asnjë mënyre pa pjesëmarrjen e 2 deputeteve shqiptarë, atëherë ndoshta do të ishte një situate tjetër, ku ata do të kenë hapësirë reale të kushtëzojnë DPS-in me plotësimin e kërkesave tona, megjithëse në praksë kjo deri me tani nuk ka ndodhur, premtimet nuk janë respektuar.
Opsioni tjetër i cili është më pak i pritshëm është thirrja e Frontit Demokratik në bashkimin e të gjitha subjekteve që fituan mandate në këto zgjedhje në formimin e qeverisë duke përjashtuar Koalicionin e DPS-it. Në ketë rast Koalicioni i DPS-it do të mbetet në opozitë mbas më shumë se 20 vite në pozitë.
Në ketë shumicë do të merrnin pjesë partitë serbe, qytetare/malazeze, boshnjake, kroate dhe shqiptare. Në rastin që të gjitha këto subjekte arrijnë të bashkohen, 2 deputetet e ardhshëm shqiptarë do të ishin vendimtarë dhe do të ishin në pozitë që realisht të kushtëzojnë formimin e shumicës me plotësimin e kërkesave tona. Shqiptaret në ketë rast duhet të tregohen shumë të kujdeseshim dhe unik. Ata do duhet të përpilojnë një platformë të përbashkët. Ndër kërkesat kyçe do duhet të ishin shpallja pa kusht e komunës së Malësisë me qendër në Tuz, ligji për mandate të garantuara, përdorimi i lirë i simboleve kombëtare, decentralizimi i pushtetit lokal, punësimi proporcional në institucione, abetarja kombëtare dhe reforma tjera në sistemin shkollor në gjuhen shqipe, problemi i kthimit të pronave, të mirat detare në Ulqin etj. Në rast se kërkesat fillimisht pranohen por nuk do të zbatoheshin, shqiptaret do të kishin çelësin në duar duke pasur mundësinë e shpërbërjes së qeverisë.
Ky opsion është më pak i pritshëm për shkakun se Partia Boshnjake dhe ajo Kroate ishin partner qeveritare të DPS-it edhe në përbërjen e kaluar, megjithëse mbas zgjedhjeve deklaruan se janë të hapur për bisedime me të gjitha palët.
Subjektet shqiptare duhet të jenë shumë të kujdeseshim në hapat e tyre në këto momente dhe të u mbesin besnik votuesve.
UDSH ishte në qeveri vite me radhë dhe publikisht u deklaruan se edhe kësaj herë do të jenë partner të DPS-it por për gabimet që bënë ata u ndëshkuan nga votuesit.
Nga e kaluara kemi mësuar se kur ishte fjala për diskriminimin e shqiptareve, si pozita ashtu edhe opozita ishin të bashkuar edhe pse kishim përfaqësuesit tonë si në pozitë ashtu edhe në opozitë.
Pranimi i hyrjes në qeverinë e re nga ana e subjekteve shqiptare, sidomos nëse nuk janë faktor kyç për formimin e shumicës mund të shkoj në interesin e tyre personal dhe te qeverisë por jo domosdoshmërisht të popullit. Prandaj, përfaqësuesit shqiptarë tani duhet të jenë unik dhe të matur e mos të lejnë vend që shqiptarët të manipulohen si në të kaluarën ku do të shërbenin vetëm për të plotësuar numrin në qeverinë e ardhshme.
Në rast se përfaqësuesit e shqiptarëve nuk janë në pozite reale për ta kushtëzuar formimin e qeverisë së re, atëherë më mirë ti mbrojnë interesat tona si opozitë. Votuesit i përkrahën për arsye se nuk ishin të kënaqur me qeverinë e kaluar, përndryshe do të kishin votuar subjektet pjesë të asaj qeveri.
R. Ivezaj