Presidenti aktual i Malit të Zi, Filip Vujanovic, është kandidat i DPS-it për zgjedhjet presidenciale që do të zhvillohen me 7 prill, ka vendosur Këshilli qendror i kësaj parti. Vujanovic është njëkohësisht dhe nënkryetari i DPS-it.
Kryetari i DPS-it dhe aktualisht Kryeministri i Malit të Zi, Milo Djukanovic, ka theksuar se Partia e tij është e bindur se me forcën e partisë dhe të një numri të partnerëve në koalicion, Vujanovic do të shënojë fitore të bindshme në zgjedhjet presidenciale.
Në opinionin malazias ka mendime të ndryshme, nëse Vujanovic ka të drejtë të zgjidhet edhe për një mandat president. Deri tash ai dy herë ka qenë president i Malit të Zi, por gjatë mandatit të parë të tij Mali i Zi nuk ka qenë shtet i pavarur, prandaj ithtarët e tij konsiderojnë se ai nuk mund të trajtohet si pengesë.
Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi dhe kryetarë i Partisë social demokrate (SDP), Ranko Krivokapic, megjithatë kundërshton kandidimin e Vujanovic si jo-kushtetues dhe paralajmëron se në rast të kandidimit të Filip Vujanovic, SDP do të paraqes ankesë në gjyqin kushtetues. SDP është partneri kryesorë qeverisës i DPS-it.
Disa ditë më parë deputetët e dy koalicioneve shqiptare të cilët janë në pjesë e koalicionit qeverisës, Forca për Bashkim (Forca e Re Demokratike, Iniciativa Qytetare, Levizja Perspektiva) dhe Koalicioni Shqiptar (Partia Demokratike, Lidhja Demokratike në MZ, Alternativa Shqiptare) gjegjësisht Genci Nimanbegu dhe Fatmir Gjeka deklaruan se do të përkrahin kandidatin e DPS-it. Megjithatë, duket se edhe brenda koalicioneve shqiptare ka përçarje në lidhje me këtë vendim. Vasel Sinishtaj kryetari i Iniciativës Qytetare para disa ditëve kishte deklaruar se kandidimi i Vujanovic është i paligjshëm duke e quajtur anti-kushtetues.
Vota e shqiptarëve në shumë raste ishte vendimtare dhe shumë e kërkuar, por a u shpërblyen votuesit shqiptarë për përkrahjen e dhëne!? /Malesia.Org/