28 NËNTORI, FESTA E FLAMURIT, DITA KUR KUQ E ZIJA BASHKON ZEMRAT SHQIPTARE! 🇦🇱
Sot, Shkolla e Mesme e Përzier “25 Maji” në Tuz kremtoi me krenari, dinjitet dhe emocione të veçanta 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit Kombëtar, ditën që simbolizon historinë, qëndresën, sakrificën dhe përpjekjet shekullore të popullit shqiptar për liri e pavarësi.
Nën hijen e flamurit kuqezi, simbolit tonë të identitetit kombëtar, kjo ditë u shndërrua në një manifestim të bukur të dashurisë për atdheun, gjuhën, letërsinë, historinë dhe kulturën shqiptare.
Realizimi i këtij programi u bë i mundur falë angazhimit dhe përkushtimit të grupit “Historianët e rinj”, të udhëhequr nga profesori i historisë Mark Junçaj, si dhe grupit letrar “Zëri i Rinisë”, të udhëhequr nga profesori i gjuhës shqipe dhe letërsisë Marjan Lulgjuraj.
Të pranishmit i përshendeti profesori i historisë, Mark Junçaj duke folur edhe për rëndësinë e kësaj date.
Aktivitetin e përshëndeti me fjalën e saj edhe ambasadorja e Shqipërisë, Shkelqësia e sajë, znj. Zhaklina Peto, e cila përcolli mesazhe urimi dhe vlerësimi me rastin e kësaj feste të rëndësishme kombëtare, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar.
Programi artistik dhe kulturor përfshiu pjesë dramatike, recitime, fjalime historike, valle tradicionale, këngë patriotike, si dhe interpretime me instrumente folklorike e klasike. Një vend të veçantë në këtë manifestim zuri Kori i shkollës, i cili me interpretimin e Himnit Kombëtar Shqiptar dhe himnit nga Gjergj Fishta i dha aktivitetit një dimension të veçantë emocional dhe atdhetar.
Çdo varg i recituar, çdo tingull i interpretuar dhe çdo hap vallëzimi përcolli një mesazh të qartë: kombi jeton përmes gjuhës, historisë, kulturës dhe kujtesës që ua përcjellim brezave të rinj.
28 Nëntori nuk është vetëm një datë në kalendar. Është kujtesë e përhershme e aktit historik të 28 Nëntorit 1912 në Vlorë, e flamurit që u ngrit nga Ismail Qemali, e sakrificave të brezave që nuk u përkulën dhe e amanetit që na lanë të parët për ta ruajtur gjuhën, identitetin dhe dinjitetin tonë kombëtar.
Në Malësi, aty ku gjuha shqipe, tradita dhe dashuria për atdheun janë përcjellë brez pas brezi, kremtimi i kësaj feste merr një domethënie edhe më të veçantë. Sepse të ruash gjuhën është të ruash kujtesën; të njohësh historinë është të respektosh të parët; ndërsa të edukosh brezin e ri me vlera atdhetare është të sigurosh vazhdimësinë e identitetit tonë.
Lavdi të gjithë atyre që punuan, sakrifikuan dhe u flijuan për flamurin dhe lirinë tonë!
Gëzuar 28 Nëntorin! Rroftë flamuri kuqezi! Rroftë kombi shqiptar! 🇦🇱
Shkolla e Mesme e Përzier “25 Maji” në Tuz



