Drejtori i shkollës së mesme “25 Maji” në Tuz, Sehad Lulanaj, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga detyra, duke e arsyetuar vendimin me “arsye personale dhe morale”, ka njoftuar Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit.
Dorëheqja vjen pas disa ditësh të tensionuara në këtë institucion arsimor, të shoqëruara me protesta të nxënësve dhe reagime të shumta lidhur me vendimin për largimin nga puna të profesorit të historisë, Mark Junçaj.
Vetëm pak orë para njoftimit për dorëheqjen e drejtorit, shkolla bëri të ditur se vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës me profesorin Junçaj ishte shfuqizuar.
Ndërkohë, gjatë dy ditëve të fundit, nxënësit shkollës së mesme “25 Maji” kanë protestuar, duke kërkuar rikthimin e profesor Junçajt në vendin e punës, por edhe dorëheqjen e drejtorit Lulanaj.
/MALESIA.ORG/


