Shkruan: Mark Junçaj
Para më se një muaji, konkretisht me datë 14 korrik 2026, në portalin Malësia.org, publikova një tekst të titulluar “Proskripcioni në arsim”. Me atë rast sqarova se çka nënkupton kjo fjalë, paraqita situatën në të cilën, fatkeqësisht, ndodhet arsimi, si edhe keqperdorimin e pozitës nga disa drejtorë, të cilët, edhe pse nuk e meritojnë pozitën në fjalë, por janë emëruar fal militantizmit të tyre politik, nuk ndalën të sjellën në mënyrë arrogante, sepse ka mundësi që mendojnë se shkolla dhe ata janë një, prandaj e trajtojnë si pronë private dhe çdo mospajtim me punën apo qendrimet e tyre merret si sulm ndaj shkollës dhe personalitetit të tyre. Është shumë interesant fakti, se në tekstin në fjalë, ndonjë drejtor duket e ka gjetur edhe vetën tek tipi i drejtorave të përshkruar, pasi që, para disa javësh, konkretisht më 7 gusht 2026, përmes postës më ka ardhur një vërejtje prej disa faqësh, me anë të cilës drejtori i IP SHMP “25 Maji” në Tuz, Sehad Lulanaj, më tërheq vërejtjen se, gjoja, nuk i kam përmbushur të gjitha detyrat e parapara gjatë vitit mësimor 2025/26 dhe mund të ndërmerren masa ndaj meje. Fjala është për mosnotimin në kohë, si edhe për mosmbajtjen e mjaftueshme të orëve shtuese dhe plotësuese. Sa i përket mosnotimit, fjala është për disa maturantë, të cilët gjatë gjithë kohës i kan pasur notat dhe kanë qenë të informuar për të njëjtat, por disa nota kanë munguar në ditar, pasi që nuk kam dashur që notat e tyre t’i zbres dhe kam prit deri ditën e fundit të procesit mësimor, në mënyrë që të kenë mundësi të mbrojnë apo të ngrisin notat. Mirëpo ditën në fjal (19 maj 2025), e cila ishte dita e fundit për maturantët, drejtori e ka marr ditarin nga salla e profesorëve dhe e ka mbajt tek vetja në zyre, ashtu që nuk ka lejuar t’a marr mësimdhënësi që nuk ka pas orë atë ditë me paralelën e caktuar, pa marrë parasysh, që, për hirë të nxënësve, u kisha mundësuar të pyeten edhe ditën e fundit. Arsyeja, sipas tij: “ nuk ke orë sot me ata”. Mirëpo, realiteti është diçka tjetër. Problemi ishte se isha unë në pyetje dhe jo ndonjë i/e përkledhur e udhëheqësisë së shkollës. Pastaj, në mbledhjen e Këshillit të paralelës, ai vet kërkon që unë të propozojë notat për nxënësit, çka edhe e bëra, pasi gjatë gjithë kohës i kisha në shënimet e mia. Për këtë çështje, pas pak ditësh kishte nis vërejtjen me shkrim, e cila u shpall a pafuqishme nga inspeksioni i punës. Mirëpo, duket se drejtori është edhe mbi inspeksion, pasi që këtë çështje të mbyllur edhe nga vendimi që ka sjellur ai vet më 12 qershor 2026, e riaktivizon sërish, ashtu që në vërejtjen e fundit, përveç këtij rasti, gjoja, shton edhe shkelje tjera të bëra nga unë. Kjo besoj e dëshmon qartë se çka është në pyetje dhe çka nënkupton, kur riaktivizohet diçka që është mbyllur njëherë. Kësaj i thonë qartë: proskripcion(përndjekje).
Sa i përket akuzës së dytë, lidhur me mosbajtjen në numër të mjaftueshëm të orëve plotësuse dhe shtuese, duhet potencuar se me dhjetëra kolegë i kanë fituar vërejtjet për të njëjtën gjë, mirëpo, shumica e tyre vazhdojnë të heshtin. Është paraparë që nxënësit të vinë në orët e lartpërmendura, por, kryesisht, nuk janë paraqitur dhe nëse nuk paraqiten, orët nuk kanë logjikë të shënohen, pasi që është falsifikim. Mirëpo, një numër i konsiderueshëm i kolegëve i kanë shënuar orët, edhe pse nuk i kanë mbajtur, pasi që nxënësit, siç e potencova, kryesisht nuk kanë ardhur, çka nuk është shqyrtuar fare, por, me rëndësi se orët janë shënuar. Këto orë kanë qenë të parapara të mbahen ditëve të shtunë, me çka u është marrë dita e pushimit si nxënësve, ashtu edhe mësimdhënësve, edhe pse kishte hapësirë të mbahen gjatë ditëvë të punës, mbas orëve të rregullta. Ndonjë nga ne i ka kaluar këto orë ditëve të punës, mbas orës së shtatë, por, nxënësit kanë vazhduar të mos paraqiten Pra, është interesante se si mund të jetë fajtor mësimdhënësi për këtë “mosmbajtje” të orëve…
Vlen të potencohet, se nga ardhja në pozitë, drejtori ndaj mësimdhënësve të caktuar është sjellur në mënyrë jokorrekte dhe arrogante, si edhe është munduar që disa t’i largoj nga puna, çka fatkeqësisht edhe ia ka arritur, që përmes presionit dhe mungesës së vendimit të përherëshëm të punës, të largoj edhe ndonjë mësimdhënës/e cilësor/ë. Po ashtu, ka edhe të tillë, mësimdhënësë shumë cilësorë, që për të njëjtat arsye, vet kanë kaluar në ndonjë institucion tjetër, pasi që nuk kanë dashur që përherë të vazhdojnë punën nën presion. Fatkeqësisht, shkolla jonë me shkuarjen e tyre, në veçanti me shkuarjen e doktorantit të matematikës, ka humbur shumë, pasi që është vështirë të gjendet profesori adekuat i lëndës në fjalë. Duhet potencuar se drejtori Lulanaj i ka humbur disa procese gjyqësore, si edhe një numër jo të vogël vërejtjesh, të cilat inspeksionet ia kanë hedhur poshtë si të pabaza dhe me ndesh me ligjet, ashtu që këto edhe tregojnë për “respektimin” e ligjit, në të cilin shpesh herë edhe thirret.
Andaj, shtrohet pyetja se sa është legjitime që një drejtor të sjellet brenda një institucioni publik sikur të ishte pronë private apo trashëgimi familjare? Si mundet një shtet demokratik që t’a lejoj një sjellje të tillë? Si mundet ndonjë përfaqësues politik t’a mbështes një drejtor të till? A thua qëllimi i vërtetë është që të shkelet arsimi në mënyrë permanente dhe në punë të mbesin vetëm ata të cilët janë të dëgjueshëm dhe nuk ka rëndësi se sa janë cilësorë? Si mendohet të rritet niveli i arsimit, nëse në krye të institucioneve edukativo-arsimore, nga qarqet politike, vendosen persona të tillë? A mendojnë partitë politike shqiptare për të mirën e arsimit apo bëjnë vetëm pazare, të cilat shpesh mund të jenë edhe në dëm të arsimimit dhe zhvillimit të drejtë të nxënësve shqiptarë? Mësimdhënësit a duhet të jenë vetëm skllevër që thonë “Po” apo duhet të kenë qendrimin e vet dhe t’a shprehin pa pas frikë nga pasojat e ndryshme?
Nëse vazhdohet me këtë praktikë, situata do të përkeqësohet dhe mësimdhënësit, të cilët janë profesionistë dhe kanë dinjitet, nuk e di se sa do t’a parapëlqejnë punën në arsim dhe nëse këta nuk punojnë në arsim, atëherë arsimin e mori lumi. Andaj, pasi që është e “fshehtë publike” se drejtorët emërohen politikisht, do të ishte mirë që njerëzit e politikës të ndalen dhe të mendojnë pak: A e duan arsimin cilësor dhe a i’a vlen që në krye të institucioneve arsimore të vendosen personat jokompetentë dhe me njohuri diskutabile, të cilët, duke keqpërdor pozitën, ushtrojnë dhunë psiqike ndaj të tjerëve. Duhet pas parasysh se nëse dikush deklaron se është shqiptar dhe, ndonjëherë sa për sy e faqe, e mban edhe flamurin shqiptar në dorë, por në anën tjetër i bën dëm atdheut, mos të mendoj se është atdhetar, sepse historia në fund fare nuk harron dhe secilit ia jep vendin e merituar. Mirëpo, deri sa njerëzit profesionistë mos të vlerësohen dhe të lihen nën hije, njerëzit jokompetentë do të vazhdojnë me abuzime, ashtu që proskripcioni në arsim do të vazhdoj dhe mos të befasohet asnjëri sepse arsimi përherë e më shumë është më pak atraktiv për rininë.


