Tirana zyrtare thotë se nuk është dhe nuk mund të jetë pjesë e asnjë skenari destabilizues ndaj Malit të Zi apo ndonjë shteti tjetër.
Qëndrimi i ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, vjen si reagim ndaj një deklarate të bërë një ditë më parë nga kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq.
Spajiq, deklaroi të enjten se autoritetet e këtij vendi kanë “informacione serioze operacionale të sigurisë” se mbyllja e paralajmëruar e kapitujve në negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian do të shoqërohet me veprimtari të koordinuar hibride, në të cilën janë përfshirë zyrtarë të të paktën dy shteteve të rajonit.
Në postimin e tij në rrjetet sociale, Spajiq nuk tregoi se cilat janë këto shtete e as nuk dha ndonjë provë konkrete për të mbështetur këto pretendime. Megjithatë, disa media malazeze aluduan se dy shtetet janë Shqipëria dhe Serbia.
“Edhe pse nuk ka asnjë akuzë të formuluar zyrtarisht ndaj Shqipërisë, dua të theksoj fort dhe qartë se Shqipëria as nuk është dhe as nuk mund të jetë pjesë e ndonjë skenari destabilizues, as në Malin e Zi, një vend fqinj, mik, partner dhe aleat në NATO, me të cilin ndajmë të njëjtin projekt të anëtarësimit në BE, dhe as askund tjetër”, shkroi kryediplomati shqiptar, Ferit Hoxha, në X.
Ai tha se Shqipëria investon çdo ditë në bashkëpunimin, mirëkuptimin, stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit, si dhe në bashkëpunimin më të gjerë evropian e euroatlantik.
Hoxha theksoi se as interpretimet mediatike dhe as debatet e brendshme politike nuk mund të prodhojnë probleme artificiale mes dy vendeve
“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm, në të gjitha nivelet, dhe këtë kam bërë edhe në këtë rast, në komunikimet që kam pasur me zëvëndëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, si dhe me zëvëndëskryeministrin Nik Gjeloshaj”, shkroi ai.
Ministri u ka bërë thirrje edhe aktorëve politikë në Shqipëri që të shmangin debatet e panevojshme dhe të mos e kthejnë politikën e jashtme në objekt të përplasjeve partiake.
Opozita në Shqipëri ka kërkuar që Qeveria të mos mjaftohet me mohimin, por të kërkojë zyrtarisht sqarime nga Podgorica dhe të bëjë transparente nëse institucionet shqiptare janë përmendur apo kanë qenë objekt i ndonjë informacioni të sigurisë.


