Shoqata “Penda” organizoi mbrëmjen e 18 gushtit një veprimtari kulturore me temën “Malësia për Fishtën”, kushtuar figurës së madhe të letërsisë, kulturës dhe historisë shqiptare, At’ Gjergj Fishtës.
Veprimtaria solli në vëmendje veprën dhe trashëgiminë e Fishtës, si dhe lidhjen e tij të thellë me Malësinë. Përmes diskutimeve dhe interpretimeve artistike, u përcollën mesazhe për ruajtjen e rrënjëve, traditave, historisë dhe vlerave kombëtare.
Në këtë aktivitet ligjëruan Prof. dr. i asociuar Vinçens Marku, studiues, përkthyes dhe ligjërues në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Hoxhë magjistër Nadir Bajraktari dhe Patër Mirash Marinaj, misionar françeskan.
Në emër të Shoqatës “Penda” të pranishmit i përshëndeti kryetari Mark Junçaj, ndërsa fjalën e nderit e mbajti Frano Kulli, drejtor i Shtëpisë Botuese “Fishta”.
Një pjesë e veçantë e mbrëmjes ishte interpretimi i krijimtarisë së At’ Gjergj Fishtës nga Nevila Nikaj, Kristina Lulgjuraj dhe Antoneta Arapaj, duke sjellë vargjet e poetit të madh më pranë publikut.
Aktiviteti u moderua nga Sidorela Berishaj.
Përmes kësaj mbrëmjeje, Shoqata “Penda” rikujtoi rëndësinë e veprës së Fishtës dhe të mesazheve të tij, të cilat vazhdojnë të mbeten të rëndësishme për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.
“Malësia për Fishtën” ishte një takim me kulturën, kujtesën dhe identitetin shqiptar, në nderim të një prej figurave më të shquara të kombit.
/MALESIA.ORG/



