Më 26 gusht, me fillim në orën 20:00, në QKI “Malësia”, nën organizimin e Albanian American Institute – Instituti Shqiptaro Amerikan, do të promovohet monografia shkencore “Malësia – studime e hulumtime”, me autor Anton Lulgjuraj.
Promovimi organizohet nga Albanian American Institute – Instituti Shqiptaro Amerikan, ndërsa autori i veprës sjell një studim të gjerë kushtuar Malësisë, me fokus të veçantë në katër fiset/malet që kanë mbetur në territorin e Malit të Zi: Hotin, Grudën, Trieshin dhe Kojën.
Në monografi trajtohen një sërë temash që lidhen me historinë, jetën dhe trashëgiminë e Malësisë, ndër të cilat vendbanimet, popullsia, objektet fetare, varrezat, toponimet, objektet shkollore, pasuritë natyrore dhe shumë aspekte të tjera me rëndësi për njohjen dhe dokumentimin e kësaj treve.
Autori e ka cilësuar veprën si rezultat të një pune gati pesëvjeçare, duke e lënë për publikun si një lloj “enigmë” deri në mbrëmjen e promovimit, ku të pranishmit do të kenë mundësinë të njihen nga afër me librin dhe të zbulojnë të dhëna e fakte që mund të mos i kenë hasur më parë.
Një ditë më herët, ligjëratë për Kryengritjen e Malësisë
Në kuadër të aktiviteteve, më 25 gusht, një ditë para promovimit të librit, do të mbahet edhe një ligjëratë kushtuar Kryengritjes së Malësisë dhe figurës së Dedë Gjon Lulit, si dhe rolit të tyre në rrugëtimin drejt Pavarësisë së Shqipërisë.
Ligjëratën do ta mbajë Dr. Elena Kocaqi, ndërsa aktiviteti organizohet gjithashtu nga Albanian American Institute – Instituti Shqiptaro Amerikan.
Dy aktivitetet synojnë të sjellin në vëmendje historinë, kulturën, identitetin dhe trashëgiminë e Malësisë, duke ofruar mundësi për publikun që të njihet më nga afër me figura, ngjarje dhe hulumtime të rëndësishme për këtë trevë.
/MALESIA.ORG/




