Shkruan: Albert Bikaj
Deklarata e kryetarit te Forumit Shqiptar se Ulqini është “qytet shqiptar” paska shkaktuar debate të shumta. Madje, e nxjerrë nga konteksti, po cilësohet si njëfarë blasfemie, thënie kontraverse, nga politikanë, përfshirë edhe disa shqiptarë nga Mali i Zi. Reagimi i opinionit te palës së parë deri diku nuk më habit, ndonëse nuk e miratoj. Ndonëse ky reagim përfaqëson një traditë të botekuptimit historik, kulturor dhe politik të shtetit që perceptohet ndryshe, dominues. Por duhet pasur parasysh se botekuptimi modern i shtetit nuk është i njëtrajtshëm; ka rryma të ndryshme. Interpretetimin dhe debatin e karakterit qytetar të shtetit modern, në rastin tone, do e trajtoj më vonë.
Duke pasur parasysh reagimet, të shohim deklaraten në fjalë:
“Ulqini ishte qytet.
Ulqini është qytet.
Ulqini do të jetë gjithmonë qytet.
Ulqini është qytet me shumicë shqiptare.
Ulqini është qytet shqiptar.
Ulqini është qytet i kapur peng nga disa politikanë të njohur për korrupsion.
Ulqini është qytet që do të çlirohet në qershor 2027.
Ulqini është qytet-metropol i turizmit evropian!”
Prandaj, çfarë ka kontraverse këtu? Nëse një qytet ka për shekuj karakter të dallueshëm historik, gjuhësor, kulturor dhe demografik të një komuniteti, është krejt normale të përshkruhet si qytet i atij komuniteti. Përkatësia etnike nuk nënkupton domosdoshmërisht përkatësi juridike. Madje nuk është as përjashtuese. E meqë po flitet më të madhe për multikulturalizmin, do të përdor një rast dhe një popull të shquar për këto vlera. Ta zëmë, në Britani të Madhe, Edinburgu është historikisht, kulturalisht dhe etnikisht skocez. Prandaj, të thuhet se Edinburgu është qytet skocez është diçka krejt normale. Kontraverse për ta do të ishte të quhej qytet anglez, irlandez apo uellsian.
Pra, a nuk është edhe Ulqini historikisht dhe aktualisht qytet me shumicë dhe karakteristika shqiptare? Njësoj siç mund të thuhet fare lehtë se Cetinja është qytet historikisht dhe kulturalisht malazias. I tillë ka qenë edhe në periudha të ndryshme historike. Jurisdiksioni nuk e ndryshon automatikisht karakterin etnokulturor dhe anasjelltas.
Përshkrimi i realitetit aktual, faktual dhe historik nuk ka pse të jetë “problematik” as “tendencioz”. Askush askund nuk tha se duhet ndryshuar kufijtë shtetërorë, as që nuk tha se nuk është në Mal të Zi, e as nuk tha ndonjë të pavërtetë sa i takon karakterit të Ulqinit. Realiteti demografik dhe historik i Malit të Zi është vërtet multietnik, i pëlqen dikujt apo jo. Si i tillë, Mali i Zi, me Kushtetutën e vet, është shtet qytetar, multietnik, ku secili komunitet etnik ka barazi të plotë. Është çështje tjetër pse disa parapëlqejnë ta interpretojnë, në emër të karakterit qytetar, praktikisht si shtet me identitet monoetnik malazez, homogjen, kur në realitet nuk është i tillë. Trashëgimia etnokulturore malazeze e respektohet si e barasvlershme me ato të popujve shtetformues të Malit të Zi, përfshirë edhe atë shqiptare. Por jo superiore, por as inferiore.
Tekefundit, në demokraci liberale dhe shoqëri pluraliste nënkuptohet edhe pluralizmi ideologjik legjitim. Këtë fakt duket se vetëm disa nga të ashtuquajturit “qytetaristë” (realisht janë ithtarë të nacionalizmit qytetar) nuk duan ta pranojnë se ka pikëpamje tjera, pasi besojnë se vetëm qasja e tyre ideologjike është legjitime. Ky botëkuptim ngjason me mendësitë e regjimeve të dikurshëm moniste, ku ose ishe për uniformitet ose konsideroheshe armik. Demokracia, sidomos në një shoqëri si e jona, ka si parim pluralizmin, diskutimin, debatin dhe mendimin ndryshe. “Kritikët” duhet ta kuptojnë se koncepti qytetar, si produkt i filozofisë politike europiane, ka forma dhe rryma të ndryshme ideologjike. Të gjitha ato që nuk cenojnë Kushtetutën janë legjitime. Forumi Shqiptar, si çdo parti tjetër me të drejtën e vet, ka platformën dhe pikëpamjen e vet politike brenda po asaj kornize.
Forumi (asokohe koalicion), në programin e vet politik, thekson se si parti e qendrës së djathtë beson në rëndësinë e kombësisë, ruajtjen e identiteteve dhe kulturave kombëtare në formën e tyre të shëndoshë si pasuri dhe vlerë për shtetin, kontinentin dhe qytetërimin që i takojmë. Shembull ky i shtetformimit bashkëkohor, tolerancës dhe bashkëjetesës sipas patriotizmit kushtetues edhe për shoqëritë e bashkuara në diversitet, siç është kjo e jona në Mal të Zi.
Prandaj, kritika në fjalë është absurde. Në përkthim ideologjik i bie kështu: “Ti nuk duhet të kesh pikëpamje të qendrës së djathtë, sepse unë besoj se vlerat e qendrës së majtë janë të vetmet të vlefshme”.
Fenomeni i “korrektësisë politike” si frikë nga vetja
Pjesa tjetër që më intrigon më së shumti është reagimi kritik i disa bashkëvëndasve tanë. Për ta shpjeguar këtë fenomen ose reagim “korrektesise politike” të bashkëvëndasve tanë, me gjithë respektin, më duket se kanë “frikë” nga faktet, do perdori një koncept të një filozofi te shquar anglez.
Sir Roger Scruton, tashmë i ndjerë, ka shtjelluar një koncept interesant kulturor, të cilin e ka quajtur oikofobi (angl. oikophobia), neologjizëm grek që, në përkthim, nënkupton frikë iracionale nga vëndlindja dhe kultura e popullit të cilit i takon. Këtë fenomen e vlerësonte jo vetëm si problem serioz socio-kulturor apo politik, por edhe si aspekt identitar. Sipas tij, ky fenomen ka filluar të përhapet në Perëndim pas Luftës së Dytë Botërore, por do të shtoja se kjo ide, në thelb, ka filluar t’i tejkalojë kufijtë e perëndimorë.
Por nga rrjedhë kjo nevojë për “vetmohim”?
Albanofobia, si ideologji kolonialiste, historikisht manifestohej kryesisht duke përbuzur, denigruar imazhin e shqiptarit si të pagdhendur, si rrezik potencial, më pas duke imponuar sistematikisht ndjenjen e inferioritetit. Si pasojë, gradualisht disa pjestarët e komunitetit e pranojnë këtë paragjykim. Kjo shfaqet në disa mënyra, duke ndierë turp nga identiteti dhe tashëgimia përkatëse, në disa raste më ekstreme edhe duke mohuar identitetin e vet. Kështu stereotipet e jashtme, pra albanofobia, brëndësohen në atë që Scruton e quan oikofobi, pra në veturrejtje ose frikë nga identiteti ose trashëgimia e vet. Praktikisht, krijohet situate paradoksale ku ndihet nevoja për “kerkimafalje” Tjetrit per ekzistencen e vet. Keshtu që lind “dëshira” për të marrë aprovim duke u tjetërsuar, autoçenzuruar, duke “luftuar” apo mohuar vetvetën dhe komunitetin qe i takon.
Kjo çon ne tjetërsim të identitetit, pra asimilimin. Nga ky kompleks i imponuar institucionalisht në të kaluarën, kanë vuajtur shumë bashkëvendas tanë në ish-Jugosllavi. Jo me kot demografikisht e kulturalisht ne disa treva ka pas rnie të ndjeshme, kjo jo veç duke migruar por edhe duke u asimiluar masovikisht. E ky nuk është rasti i parë e as i fundit; ky eshte fenomen dhe proces i lashtë botërorë. Duhet vullnet dhe vetëdije për ta demantuar, kundërshtuar, jo vetëm pse komunitetet apo kombet që humbasin identitetin, tjetërsohen, asimilohen; por mbi të gjitha sepse cënohen të drejtat themelore të njeriut.
Prandaj, duhet ta kuptojmë se koha e dominimit të konceptit “shqiptar i ndershëm” (“pošten Albanac”), si i nënshtuar, i shtypur, i përshtatshëm, ka marrë fund në Mal të Zi juridikisht në vitin 2006. (Vetë topologjia në thelb ka karakter denigrues, pasi nënkupton se shumica e shqiptarve nuk janë “të ndershëm”. Prandaj është e absurde qe kjo mendesi ende vazhdon.) Perndryshe, nese ndokënd ne Mal te Zi e irriton fjala “shqiptar”, faji nuk qendron te shqiptarët, por flet më shumë per botëkuptimin ideologjik dhe kulturor te personit. Albanofobia është ende e gjallë si paragjykim, pasi ka rrënjë të thella në shumë forma. Por detyra jonë qytetare është ta demantojmë.
Ndonëse historia mbetet ashtu siç është, me të mirat e të këqijat e saj, gjërat kanë ndryshuar dhe e kaluara nuk duhet të keqpërdoret apo keqinterpretohet. Trashëgimia etnike e një treve nuk duhet të shndërrohet në problem, kompleks apo fobi. Duhet mësuar nga e kaluara për ta kuptuar të tashmen. Tekefundit, si shembull pozitiv i të mësuarit nga gabimet historike është referendumi për pavarësinë e Malit të Zi, i cili ofroi një kontratë të re shoqërore. Vullneti i shumicës së qytetarëve të Malit të Zi e pranoi këtë kontratë të re me vlerat e saj, të cilat bazohen te liria, pavarësia, pluralizmi dhe barazia. Sot jemi në prag të anëtarësimit në BE, e cila nuk mohon, por ruan dhe kultivon diversitetin e qyteteve, rajoneve, shteteve dhe kombeve. Këtë gjë nuk duhet ta harrojmë. Përndryshe, ata që mendojnë se diversiteti nënkupton shkrirjen e dallimeve e kanë keqkuptuar domethënien e këtij koncepti dhe të politikës bashkëkohore.


