Javën e kaluar u realizua një kamp edukativ me të rinjtë liderë nga Ulqini dhe Tuzi, si pjesë e vazhdimësisë së programit për zhvillimin e lidershipit rinor, i nisur gjatë vitit të kaluar.
Programi u zhvillua përgjatë disa ditëve dhe përfshiu udhëtimin në Kollashin, Plavë dhe Guci, me pjesëmarrje në aktivitete edukative dhe ndërvepruese, shkëmbim përvojash dhe zhvillim të aftësive të reja. Pjesa kryesore e kampit u realizua në fshatin Vuthaj, i cili me koloritin e fuqishëm të peizazhit malor dhe qetësinë e veçantë, ofroi një ambient ideal për zhvillimin e aktiviteteve me të rinjtë.
Gjatë kampit u organizuan workshope tematike mbi lidershipin rinor, teknikat e debatimit, të folurit publik, si dhe krijimin e iniciativave rinore dhe angazhimin aktiv në komunitet.
Përveç pjesës edukative, të rinjtë patën mundësinë të njihen më mirë me njëri-tjetrin, të zhvillojnë bashkëpunim dhe të ndërtojnë marrëdhënie të reja që kontribuojnë në forcimin e rrjetëzimit rinor.
Po ashtu, pjesëmarrësit vizituan zona të ndryshme natyrore, u njohën me traditat dhe kulturën lokale dhe patën mundësi të komunikojnë me banorët vendas, duke përjetuar nga afër mikpritjen karakteristike të kësaj zone.
Ky kamp kontribuoi në forcimin e kompetencave personale dhe qytetare të të rinjve, duke i inkurajuar ata të jenë më aktivë, më të angazhuar dhe më të përgatitur për të kontribuar në zhvillimin dhe proceseve shoqërore e integruese.
Projekti “Të rinjtë liderë – nga ideja te ndikimi” realizohet nga organizata e shoqërisë civile Horizonti i Ri (Ulqin) dhe mbështetet nga Ministria e Sportit dhe Rinisë e Malit të Zi.



