Shqipëria dhe Kroacia kanë rikonfirmuar angazhimin për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, duke theksuar se iniciativa e përbashkët me Kosovën nuk përbën kërcënim për asnjë vend.
Ky qëndrim u bë i ditur pas takimit në Zagreb mes ministrit të Mbrojtjes të Shqipërisë, Ermal Nufi, dhe homologut kroat, Ivan Anushiq. Dy ministrat theksuan se bashkëpunimi synon zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe industrisë ushtarake, si dhe forcimin e stabilitetit në rajon.
Deklaratat e tyre vijnë në një kohë kur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka përsëritur pretendimet se ekziston një “aleancë ushtarake” mes Tiranës, Prishtinës dhe Zagrebit, duke paralajmëruar edhe rritje të investimeve ushtarake nga Serbia.
Megjithatë, si Shqipëria ashtu edhe Kroacia i kanë hedhur poshtë këto akuza, duke theksuar se bashkëpunimi trepalësh nuk është i drejtuar kundër askujt, por ka për qëllim paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore.
Ministri shqiptar theksoi se iniciativa synon gjithashtu nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, ndërsa homologu kroat nënvizoi se vendet sovrane kanë të drejtë të zhvillojnë politika të pavarura në interes të sigurisë së tyre.
Kjo deklaratë është vazhdim i një marrëveshjeje të mëhershme mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë për bashkëpunim në fushën e sigurisë, e cila është interpretuar nga Serbia si kërcënim, por është kundërshtuar vazhdimisht nga palët nënshkruese.



