Shoqata Atdhetare “Malësia e Madhe” në Michigan ka ndarë gjithsej 23 bursa studentore për studentët nga Malësia për vitin shkollor 2025/2026, me një fond të përgjithshëm prej 17,600 dollarësh.
Kjo nismë synon të mbështesë të rinjtë në rrugën e tyre akademike dhe të inkurajojë përkushtimin ndaj arsimit, duke dëshmuar edhe një herë rolin e rëndësishëm që mërgata luan në përkrahjen e zhvillimit të vendlindjes.
Përmes këtij programi bursash, Shoqata vazhdon traditën e saj të mbështetjes së studentëve të Malësisë, duke kontribuar në përgatitjen e një brezi të ri profesionistësh që do të mund të japin kontribut në zhvillimin e komunitetit dhe të vendit.
Përfaqësuesit e shoqatës theksuan se investimi në arsim është një nga mënyrat më të rëndësishme për të ndërtuar të ardhmen dhe për të forcuar lidhjen e diasporës me vendlindjen.
Deklarata e plotë e Shoqatës Atdhetare “Malësia e Madhe”, Michigan:
“Të nderuar studentë, prindër, anëtarë dhe miq të Shoqatës “Malësia e Madhe”,
ndarja e bursave studentore është një moment krenarie dhe shprese, sepse përmes këtyre bursave ne mbështesim të rinjtë tanë në rrugën e dijes dhe të suksesit.
Rinia është pasuria më e madhe e një kombi. Duke investuar në arsimim, ne po investojmë në të ardhmen e vendit tonë. Ju studentët, jeni shembulli më i mirë i përkushtimit, punës dhe ambicies për të arritur më shumë.
Shoqata Atdhetare “Malësia e Madhe” do të përpiqet të vazhdojë dhe të qëndrojë pranë të rinjve, duke i mbështetur në rrugën e tyre akademike dhe profesionale. Këto bursa nuk janë vetëm një ndihmë financiare, por edhe një mesazh besimi se puna dhe përkushtimi juaj vlerësohen.
Ju uroj nga zemra suksese në studimet tuaja dhe në çdo hap të jetës. Shpresojmë që një ditë, me dijen dhe përvojën tuaj, të kontriboni për Malësinë tonë dhe për zhvillimin e vendit.
Urime të gjithë përfituesve të bursave dhe falënderim të veçantë për të gjithë ata që kontribuojnë që kjo nismë e bukur të vazhdojë.
Me respekt,
Shoqata Atdhetare “Malësia e Madhe”, Michigan.”



