Sot pasdite para Kryeministrisë dhe më pas para Kuvendit të Shqipërisë është zhvilluar një protestë e organizuar nga opozita, e cila zgjati rreth katër orë. Protestuesit hodhën dhjetëra bomba molotov dhe lëndë piroteknike drejt forcave të rendit, ndërsa policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë për ta shpërndarë turmën. Tensionet shpërthyen dhe pati përplasje fizike në rrugë.
16 efektivë të policisë u plagosën gjatë përleshjeve me protestuesit.
Një deputet i Partisë Demokratike, Bledion Nallbati, u dërgua në spitalin e Traumës me lëndime në kokë, sipas raportimeve.
Gazetarët raportuan edhe për përplasje mes protestuesve dhe qytetarëve që po tentonin të kalonin në zonë.
Protesta u zhvillua si pjesë e një serie tubimesh të organizuara nga Partia Demokratike për të kërkuar ndryshime politike dhe dorëheqje të qeverisë. Para nisjes, policia kishte bllokuar disa akse kryesore në qendër të Tiranës dhe kishte vendosur mbi 1 300 efektivë në terren për të garantuar rendin publik.



