Në seancën e sotme të mbajtur në Cetinë, Kuvendi i Malit të Zi rivotoi propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin mbi pasuritë e paluajtshme, i cili ishte kthyer më parë për rivotim nga presidenti i shtetit, Jakov Milatoviq.
Deputeti i Forumit Shqiptar nga radhët e LDSh-së, njëheri nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, si propozues i këtij ligji, u shpreh krenar për miratimin e tij të dytë, duke theksuar rëndësinë që ky akt ligjor ka për zhvillimin ekonomik të komunës së Tuzit.
“Jam krenar që Kuvendi e miratoi përsëri Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin mbi pasuritë e paluajtshme, duke bërë kështu një hap të rëndësishëm drejt një sistemi tatimor më modern dhe më të drejtë”, deklaroi Camaj.
Sipas tij, ligji i ri do të kontribuojë në forcimin e stabilitetit financiar të komuniteteve lokale, si dhe në krijimin e kushteve për një menaxhim më të përgjegjshëm të mjeteve publike.
Në vijim, Camaj theksoi se me këtë ligj shmanget mundësia që kompania “Plantacione” të përdoret për të ndëshkuar komunën e Tuzit, duke i dhënë kështu mundësi kësaj komune të ndërtojë marrëdhënie më miqësore dhe efektive me këtë kompani.
“Ky ligj i hap rrugë një bashkëpunimi të drejtë e transparent, duke korrigjuar padrejtësitë e së kaluarës”, deklaroi Camaj
Malesia.org