Një nga simbolet më të lashta të trashëgimisë kulturore shqiptare, xhubleta, ka marrë vëmendjen e botës së modës në Javën e Modës në Milano. Ajo u prezantua përmes koleksionit të stilistes Moralda Durra, me titullin “Një mijë e një fije”, i cili u shfaq në një nga hapësirat më prestigjioze të qytetit, hotelin Four Seasons.
Koleksioni, i cili mori çmimin e parë në “Muza Competition 2025”, të mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit e Shqipërisë, solli një riinterpretim të xhubletës tradicionale shqiptare, duke e kthyer atë në një element të modës bashkëkohore.
Xhubleta, e cila në vitin 2022 u shpall nga UNESCO pjesë e trashëgimisë kulturore jomateriale të njerëzimit, po vazhdon të shërbejë si frymëzim artistik dhe si simbol i identitetit shqiptar në skenën ndërkombëtare.
Xhubleta është veshja më e lashtë tradicionale shqiptare, që është ruajtur kryesisht në zonat malore të veriut të Shqipërisë. Ajo është mbajtur dhe trashëguar brez pas brezi në Malësinë e Madhe, Dukagjin, Pukë e Mirditë, duke u kthyer në simbol të identitetit kulturor dhe të vazhdimësisë historike të popullit shqiptar.
/MALESIA.ORG/