Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Pastrimit të Brigjeve, të shtunën e kaluar u zhvillua një aksion për pastrimin e brigjeve të lumit Cem, ku morën pjesë qytetarë, të rinj dhe nxënës të shkollave lokale, duke grumbulluar mbi 340 kg mbeturina, përfshirë 124 kg të riciklueshme.
Aksioni u organizua në bashkëpunim me organizatën “Zero Waste Montenegro”, Organizatën Turistike të Tuzit, Institutin për Zhvillimin e Kulturës dhe Klubin Sportiv të Peshkimit “Cemi”.
Aksionit iu bashkëngjitën edhe nxënësit e shkollës fillore “29 Nëntori” nga Dinosha dhe shkollës së mesme të përzier “25 Maji” nga Tuzi, përkatësisht anëtarët e klubit të vullnetarëve dhe eko-bordit të këtyre shkollave. Organizatorët shprehën falënderim të veçantë për angazhimin dhe kontributin e tyre.
Sipas të dhënave, gjatë këtij aksioni u grumbulluan mbi 340 kilogramë mbeturina, prej të cilave 124 kilogramë ishin mbetje të riciklueshme.
Edhe pse interesi ishte më i larti në krahasim me vitet e kaluara, organizatorët theksuan se pjesëmarrja e banorëve lokal mbetet ende e kufizuar. Ata shprehën shpresën që ky trend pozitiv të vazhdojë dhe vit pas viti gjithnjë e më shumë qytetarë të jenë pjesë e përpjekjeve për mbrojtjen e natyrës dhe pastrimin e brigjeve të lumit Cem.
/MALESIA.ORG/