Një gjest simbolik i Aleksandra Maria Ivezaj, vajzës me origjinë nga Malësia, e cila përfaqësoi Malin e Zi në konkursin ndërkombëtar Miss Universe, ka shkaktuar reagime dhe polemika në një pjesë të mediave dhe opinionit publik malazez.
Arsyeja është se Aleksandra formoi me duart e saj simbolin e shqiponjës dykrenare shqiptare.
Por çka ka të keqe në këtë gjest? Kë ofendoi ajo dhe çfarë mesazhi armiqësor përcolli?
Shqiponja është simbol i identitetit, historisë dhe krenarisë kombëtare shqiptare. Shprehja e këtij identiteti nuk është sulm ndaj Malit të Zi, as ndaj popullit malazez apo ndonjë kombësie tjetër.
Aleksandra është shqiptare nga prejardhja dhe përfaqësoi Malin e Zi në një skenë ndërkombëtare. Këto dy përkatësi nuk përjashtojnë njëra-tjetrën. Ajo mund të jetë krenare për rrënjët e saj shqiptare dhe njëkohësisht të përfaqësojë Malin e Zi.
Nëse Mali i Zi krenohet me karakterin e tij multietnik, atëherë duhet të ketë vend edhe për identitetin, kulturën dhe simbolet e shqiptarëve, të cilët janë pjesë e pandashme e këtij shteti.
/MALESIA.ORG/


