Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë miratuar shitjen e mundshme të sistemeve raketore amerikane HIMARS për Shqipërinë, në një marrëveshje me vlerë të parashikuar prej rreth 210 milionë dollarësh.
Sipas njoftimit të autoriteteve amerikane, paketa përfshin dy sisteme raketore M142 HIMARS, municione precize GMLRS, pajisje komunikimi, automjete mbështetëse, pjesë këmbimi dhe shërbime trajnimi e mirëmbajtjeje.
Ky sistem është bërë veçanërisht i njohur gjatë luftës në Ukrainë, ku është përdorur për goditjen e objektivave ushtarake me municione precize.
Pajisja e Shqipërisë me HIMARS do të përbënte një zhvillim të rëndësishëm në modernizimin e kapaciteteve të Forcave të Armatosura dhe në forcimin e bashkëpunimit ushtarak me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


