Anëtarët e Komisionit të Arbitrazhit të Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, Emin Haxhi dhe Nermin Alibashiq, kanë reaguar përmes një deklarate publike, duke bërë të ditur se, përveç kërkesave për zgjerimin e territorit administrativ të komunës, janë shfaqur edhe përpjekje për tkurrjen e territorit ekzistues të Malësisë, të përcaktuar me ligj në vitin 2018.
Ata njoftuan se, pas përfundimit të procesit të arbitrazhit për ndarjen territoriale, kanë paraqitur kërkesa për përfshirjen e një pjese të Rakiqit, Kakarriqit, Luharit, Ledinës së Rabrajt, Liqenit të Rikavecit dhe pjesës së Koritës që aktualisht i takon Kuçit.
Sipas tyre, këto kërkesa janë përgatitur duke ruajtur strukturën demografike të Malësisë dhe interesin afatgjatë të Komunës së Tuzit.
Ata theksojnë se përpjekjet për realizimin e këtyre kërkesave do të vazhdojnë përmes rrugëve institucionale dhe ligjore, ndërsa paralajmërojnë se njëkohësisht kanë filluar tendenca për zvogëlimin e territorit tashmë të konfirmuar të komunës.
“Për këtë arsye i jemi drejtuar Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, me kërkesë që të përfshihen dhe të ndihmojnë në zgjidhjen e kësaj çështjeje në përputhje me ligjin”, thuhet në reagim.
Ndërkaq, në deklaratën e Komunës së Tuzit të publikuar një ditë më parë thuhej se komuna vlerëson se procesi i arbitrazhit tashmë ka përfunduar dhe se nuk do të marrë pjesë në përpjekje të mëtejshme për ndryshimin e rezultateve përmes propozimeve apo marrëveshjeve të reja që nuk kanë qenë pjesë e procedurës së arbitrazhit.
/MALESIA.ORG/


