Sipas informacioneve jozyrtare, tri partitë politike shqiptare në Mal të Zi – Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Nacional Shqiptar po përgatisin bashkimin formal në një subjekt të vetëm politik, “Forumi Shqiptar”.
Sipas të njëjtave informacione, lider i subjektit të bashkuar pritet të jetë kryetari i Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj. Në procesin e bashkimit, sipas burimeve, kontribut të rëndësishëm kanë dhënë edhe Ivan Ivanaj dhe Ferhat Dinosha, të cilët gjatë muajve të fundit kanë qenë pjesë e bisedimeve dhe harmonizimit të modelit të bashkëpunimit të ardhshëm.
Të tri subjektet politike që pritet të bashkohen kanë selinë në Malësi.
Ky zhvillim po vlerësohet si një lajm pozitiv për shqiptarët në Mal të Zi, duke pasur parasysh numrin e madh të partive politike shqiptare dhe përçarjet e vazhdueshme ndër vite, të cilat kanë rezultuar me dobësimin dhe defaktorizim politik të shqiptarëve në vend.
/MALESIA.ORG/


