Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar numërimin e të gjitha votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë, të cilat i fitoi Lëvizja Vetëvendosje me 51.11 për qind të votave.
Sipas rezultateve preliminare, LVV-ja e Albin Kurtit ka shënuar rezultatin më të mirë në zgjedhje ndonjëherë, duke fituar 51.11 për qind të votave apo përkthyer në vota, ky subjekt mori 486.994 vota që i japin 57 vende në Kuvend.
Kreu i kësaj partie, Albin Kurti, është personi më i votuar në Kosovë duke marrë 404.023 vota.
Partia e dytë doli Partia Demokratike e Kosovës me 20.19 për qind të votave apo 22 vende në Kuvendin prej 120 deputetësh.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 13.23 për qind të votave, që i sigurojnë asaj 15 vende në organin ligjvënës.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 5.50 për qind të votave dhe kjo parti do të ketë gjashtë deputetë.
Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, e afërt me Beogradin zyrtar – do të ketë nëntë nga dhjetë vendet e garantuara për komunitetin serb. Një deputet nga radhët e komunitetit serb do ta ketë Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit. Ndërkaq, të dhjetë vendet e tjera të garantuara për komunitetet pakicë joserbe janë shpërndarë në disa parti dhe koalicione.


