Në Tiranë është zhvilluar një takim mes Drejtorit të Përgjithshëm për të Drejtat e Popujve Pakicë në Qeverinë e Malit të Zi, z. Arben Xhurreta, dhe Presidentit të Federatës së Shoqatave Arbëreshe (FAA) në Kalabri, z. Damiano Guagliardi.
Z. Guagliardi, një personalitet me kontribut të veçantë në jetën politike dhe kulturore të Italisë, ka shërbyer për 15 vite si deputet në Parlamentin Italian dhe për dy vite si Ministër pa portofol për Çështjet e Jugut të Italisë.
Gjatë takimit u diskutua mbi ruajtjen dhe promovimin e identitetit kulturor të shqiptarëve jashtë trojeve amtare, si dhe mbi mundësitë e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushat e kulturës, arsimit dhe trashëgimisë shpirtërore.
Z. Xhurreta vlerësoi lart rolin historik të arbëreshëve në mbajtjen gjallë të gjuhës dhe traditës shqiptare ndër shekuj, ndërsa z. Guagliardi shprehu gatishmërinë e Federatës së Shoqatave Arbëreshe për të forcuar lidhjet me institucionet shqiptare dhe komunitetet shqiptare në rajon.
Në takim ishte i pranishëm edhe profesori dhe letrari i njohur Francesco Perri, i cili i dhuroi z. Xhurreta dy libra të autorit Paskal Skura, kushtuar historisë dhe kulturës së arbëreshëve në Itali.
“Arbëreshët në Kalabri – një trashëgimi e gjallë shqiptare
Arbëreshët janë pasardhës të shqiptarëve që u vendosën në Kalabri pas shekullit XV. Ata kanë themeluar fshatra që edhe sot ruajnë gjuhën, zakonet dhe traditat shqiptare, duke mbetur një shembull i gjallë i ruajtjes së identitetit kombëtar për më shumë se pesë shekuj”, deklaroi Xhurreta.
Malesi. Org



