Ka ndërruar jetë veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kryetari i Partisë Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar, Nikollë Perkaj, i cili kishte kandiduar për kryetar të Komunës së Gjakovës.
Lajmi është bërë i ditur nga familjarët dhe të afërmit e tij përmes rrjeteve sociale.
Gjatë luftës së vitit 1999, Perkaj ishte pjesëtar i Brigadës Shqiptare nga Amerika, në kuadër të Batalionit të Atlantikut. Pas përfundimit të luftës, ai për disa vite qëndroi në ShBA, ndërsa në vitin 2010 u rikthye në Kosovë për të vazhduar angazhimin politik në Ballin Kombëtar Demokrat Shqiptar, parti të cilën e udhëhiqte.
Perkaj kishte kandiduar edhe për kryeministër në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, shprehu ngushëllime për ndarjen nga jeta të tij:
“Me dhimbje mora lajmin për vdekjen e Nikollë Perkajt. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij.”
Ai e përshkroi Perkajn si një personalitet të angazhuar për Kosovën dhe Gjakovën, i cili ka lënë gjurmë në jetën politike dhe shoqërore.
/MALESIA.ORG/