Edhe Ushtria e Malit të Zi do të marrë pjesë në paradën ushtarake të Serbisë që do të mbahet nesër në Beograd. Ajo do të përfaqësohet me dy oficerë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Malit të Zi, kanë njoftuar për Vijesti nga Ministria e Mbrojtjes.
Në Beograd, siç raportohet në mediat lokale, nesër do të organizohet parada ushtarake në kuadër të ngjarjeve kushtuar Ditës së Unitetit dhe Flamurit.
Ministria e Mbrojtjes së Serbisë ka njoftuar se parada do të fillojë në orën 11:00. Ushtria e Serbisë ka paralajmëruar se do të angazhohen rreth 10,000 prej efektivëve të saj, dhe se do të prezantohet teknika ushtarake që përfshin rreth 2,500 mjete, mbi 600 automjete, 70 avionë dhe 20 anije.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçoq, ka thënë se kjo paradë nuk organizohet për arsye politike të momentit, por për të treguar fuqinë si faktor pengues për çdo agresor të mundshëm, me qëllim ruajtjen e paqes. Ai shtoi se “askush sot në botë nuk mund të na shkelë” dhe bëri thirrje që qytetarët të marrin pjesë në paradë për të parë “ndryshimet e mëdha dhe diferencën e dukshme, për të cilën është punuar 13 vjet”.
/MALESIA.ORG/